Dosti i Hysen Durmishit, përfitues i tenderit vendos materiale të përdorura në magjistrale

Prishtinë | 14 Maj 2022 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Krahas kurdisjes së tenderëve e favorizimit të të afërmeve, problem i madh që shpesh përcjellët me korrupsion është edhe menaxhimi i kontratave. Një e tillë, me elemente të keqpërdorimit dyshohet se është duke u realizuar pikërisht në Ministrinë e Infrastrukturës, të menaxhuar nga zv.ministri Hysen Durmishi.

Dyshohet se dosti i tij, përfitues i tenderit është duke mashtruar, teksa ka vendosur materiale të përdorura në magjistralen Prishtinë -Lipjan…

Kompania e Bujar Shabanit, që është mik i zëvendësministrit Durmishi është duke vendosur pahije elastike (anësore të hekurta) të vjetra në magjistralen Prishtinë -Lipjan. Ministria nuk po bënë zë.

Kompania “Bujar Shabani B.I” në koznercium edhe me kompanitë “Adnan Bislimi B.I”, “Dashamir Jashari B.I”, “Vranina”, kishin lidhur kontratë me MI-në në fund të vitit të kaluar për tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore për rrugët Nacionale dhe Rajonale 2021 -2021” .

Duke qenë se ky tender ka qenë i ndarë në disa pjesë (lot), grupi i kompanive me lider “Bujar Shabanin” e kanë fituar pjesën Prishtina- 1.

Një pozicion i kontratës, të cilën e ka parë Periskopi, decitivisht quhet: “Furnizimi, dhe vendosja e pahive elastike të njëfishta me shtylla vertikale çdo 2 m, si dhe vendosja e syve e syve të maces”. Sasia për këtë artikull është 200 m2, ku kompania ka vendosur një çmim prej 20 euro m2 që në total është 4000 euro.

Periskopi ka gjetur po ashtu se kompania ka filluar të intervenojë në disa pjesë, në ndërrimin e pahive elastike, në magjistralen Prishtinë -Lipjan në dy pjesët e rrugës, kryesisht në afërsi të Çagllavicës. Sipas pamjeve që kemi siguruar nga terreni, shihet se kompania në disa vende ka bërë ndërrimin e anësoreve të vjetra dhe ka vendosur pahi tjera që nuk janë të reja, por vetëm të lara në mënyrë më speciale. Sipas pozicionit 5.5 në kontratë, kompania ka qenë E detyruar të vendosë pahi të reja elastike bashkë me shtylla vertikale. Për 200 m2 pahi elastike, ministria duhet të paguajë 4000 euro kompaninë, e cila mund t’i ketë larë me fare pak para ato.

Pas kryerjes së çdo shërbimi nga ana e kompanisë, ministria është e detyruar që të bëjë edhe pagesat në bazë të situacioneve.

Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga Ministria dhe kompania fituese “Bujar Shabani BI” lidhur më atë se sa para janë paguar deri më tani për vendosjen e pahive dhe se pse janë vendosur të vjetrat në vend të rejave. Mirëpo asnjëra palë s’kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Para pak javëve, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur aneks kontratë me “Bujar Shabanin BI” po për këtë tender, veç për punët shtesë, e që vlera e tyre del të jetë fiks 102, 495, 98 euro, ose pak ndër 10 për qind të vlerës së kontratës bazë.

Kujtojmë q ditë më parë, Periskopi ka raportuar se kjo kompani në vitin 2019 kishte fituar një pjesë të tenderit “Rehabilitimi i rrugës Regjionale R 115 Gërlicë e Epërme -Shtërpcë -Brezovicë dhe rruga R 210 Brezovicë qendra e skajimit”. Vlera monetare ka qenë 1, 956, 340.38 euro.

Edhe në këtë tender, kemi gjetur se kompania ka vendosur anësoret e vjetra që kanë qenë, vetëm i ka lyer, madje shtyllat nuk i ka ngjyrosur fare. I ka lënë po ato, ndërkohë që është dashur t’i ndërtojë dhe t’i montojë të reja. Për këtë është paguar afro 100 mijë euro.

Sipas kontratës, tek paramasa, pjesa “sinjalizimit horizontal dhe vertikal”, artikulli 5.8 është quajtur “furnizimi dhe vendosja e pahive elastike e zinkuar të profilit B (duke përfshirë të gjitha llojet e vendosjes së bashku me katadioper, me mbështetës (shtyllë) në çdo 2 metra”. Sasia e saj e vendosur nga ministria ka qenë fiks 5, 190. 00 m2.

Dyshimet janë se zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka punuar me pagë tek kompania e Bujar Shabanit. Por këtë e ka hedhur poshtë Durmishi, duke thënë se vetëm ka dhënë këshilla në disa çështje, ndërkohë ka thënë se me Shabanin njihen që moti dhe janë shokë.

Të ngjashme