Drenasi u përball me mungesë uji këto ditë, KRUP thotë se punimet përfundojnë sot

Prishtinë | 05 Shk 2020 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, më 3 shkurt pati njoftuar për ndërprerje uji në Drenas për shkak të disa punimeve, por konsumatorë nga ky qytet, në adresë të portalit Koha.net janë ankuar se ujë nuk kanë pasur as dje e as gjatë ditës së sotme.

Koha.net ka kontaktuar zëdhënësen për media në KRUP, Arjeta Mjeku, e cila ka treguar se punimet kanë vazhduar edhe dje, por sipas saj, situata është stabilizuar mbrëmë në orën 20:00.

Ajo theksoi se punime do të ketë edhe sot gjatë ditës në Drenas, porse s’do të ketë ndërprerje të ujit të pijshëm.

“Më 3 shkurt ka pasur punime teknike në gypin kryesor të furnizimit me ujë në Komunën e Drenasit. Atë ditë është bërë ndërprerje e tërësishme e furnizimit me ujë. Pastaj, ditën e djeshme kanë vazhduar edhe për disa orë punimet për shkak të disa problemeve në rrjetin e ujësjellësit, ndërkaq, sipas informacioneve nga Njësia Operative e Ujësjellësit në Drenas, mbrëmë në orën 20:00 është stabilizuar dhe është lëshuar rrjeti i furnizimit me ujë”, tha Mjeku për Koha.net.

Megjithatë, Mjeku shtoi se “Punime ka edhe sot në rrjet, por që nuk do të ndërpritet furnizimi me ujë pasi janë në fazën përfundimtare”.

Kujtojmë dhe njëherë se njoftimi paraprak i KRUP qe me 3 shkurt, ku u theksuar se mungesa e furnizimit me ujë do të zgjasë vetëm disa orë.

Sipas KRUP-it, arsyet ishin të natyrës teknike, testim i ujëmatësit digjital në gypin kryesor të furnizimit me ujë për këtë komunë.

Të ngjashme