E shfrytëzon veturën e ministrit pa punuar fare në ministri

Prishtinë | 23 Qer 2017 | 14:41 | Nga

Ministria për Komunitete dhe Kthim e ka shpërfillur Udhëzimin Administrativë i cili e përcakton se kush ka të drejtë ta shfrytëzoj veturën zyrtare në kohëzgjatje prej 24 orësh në ditë.

Kjo ministri ia ka mundësuar një personi që nuk është fare punonjës i saj që ta ketë në dispozicion tërë kohën veturën e shtetit.

Vetëm vlera e karburanteve të paguara nga ministria për këtë veturë në vitin 2016 ishte 2 352 euro.

Këtë keqpërdorim e ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit, shkruan AktivPress.

Në raportin për Ministrinë e Kthimit thuhet se nuk kishte evidenca mbi mënyrën e shfrytëzimit të veturës.

Pos kësaj, vendime mbi shfrytëzimin 24h të veturave zyrtare ju kishin lëshuar edhe pesë këshilltarëve politik, si dhe shefit të kabinetit të ministrit.

“Shumica prej tyre nuk i plotësojnë fare fletudhëtimet mbi shfrytëzimin e automjeteve”, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Dhënia në shfrytëzim 24h e veturës zyrtare, personit jashtë ministrisë, sipas kësaj zyre, përbën keqpërdorim të pasurisë publike.

Ndërkaq, shfrytëzimi i veturave nga stafi i cili nuk ka të drejtë përdorimi për 24 orë në ditë, rrezikon përdorimin e veturave për qëllime jozyrtare.

Të ngjashme