“Ecim për Adrianën”, qytetarë e kolegë solidarizohen me aktoren që u diagnostikua sërish me tumor

Prishtinë | 30 Nën 2021 | 12:52 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për nder të aktores Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostikua sërish me tumor në tru, u organizua ecja në sheshet e kryeqytetit.

Numër i madh i qytetarëve, kolegë e familjarë kanë ecur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te “Teatri Kombëtar”, raporton Ekonomia Online.

Në bluzat artistëve e qytetarëve ishte vënë mbishkrimi “Të duam Adriana”.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se janë bërë bashkë për një grua të fuqishme, siç është Ardiana Matoshi.

“Unë jam bashku disa njerëzve të mi që sot kanë vendos të solidarizohen me ballafaqimin me të cilin po përballet mikja e kolegia po edhe një grua e zonja e Kosovës, Adriana Matoshi. Besoj në fuqinë e saj, besoj”.

Advije Ramadani, nga Prishtina tha se Adriana përveç si aktore edhe si person është shumë e mirë, raporton EO.

“Ma merr menja që e kryen me të mirë. Zoti e ka në dorë InshAllah sa më shpejtë i ndihmon”.

Një ndër miket e ngushta të aktores, Shengyl Ismaili u shpreh e bindur se ajo do ta kalojë këtë sfidë.

“Adriana ti ki me kaluar këtë sfidë qashtu qysh i ke kaluar krejt sfidat në jetë. Të njoh shumë moti, jemi shoqe qe njëzet e dy-tri vjet”.

“Ti je një femër shumë e fortë, krejt këta njerëz këtu sot kanë dalë vetëm për ty me të përkrah, me të përkrah moralisht edhe me të than you can do it. Edhe nuk dua arsyetime, shihemi pas një jave për kafe”.

Aktori Shkëlzen Veseli, tha se me organizimin e kësja ecje po i tregojnë Ardianës se e përkrahin dhe e duan.

“Kemi qenë kur ka qenë shumë mirë edhe në këtë rast që ka nevojë për një përkrahje, ndoshta përkrahje modeste prej neve. Po jemi këtu për me ia dhanë atë përkrahje edhe me i thanë që e duam shumë”.

Aktori tjetër Shpëtim Kastrati, tha se Ardiana është shumë e fortë e gjithmonë ka luftuar jetën në forma të ndryshme.

“I them Adrianës përveç që le të bëhet e fortë e ka mbështetjen morale tonën”.

“Në aspektin shpirtëror jemi me të gjithmonë edhe shpresoj që edhe këtë sfidë ta kaloj sa ma mirë që është e mundur edhe të na bashkohet e të jetë me neve në punë e në aktivitetet tona kulturore”.

Gëzim Sveçla, tha se Ardiana është një grua shumë e fortë.

“Jemi shumë të bindur që edhe kësaj radhe do t’ia del dhe e presim me padurim të takohemi me të përsëri këtu”.

Përderisa Triera Kasumi-Berisha,organizatorja e kësaj ecje, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit.

“Adrianës i urojmë shërim shumë të shpejtë. Adriana besoj që e din që krejt Kosovën e ka mbrapa edhe e presim shumë shpejt me na u kthyer, me na pru ma shumë çmime se që na ka pru deri tash”.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, aktorja Adriana Matoshi, njoftoi se pas nëntë vjetëve, i është rikthyer tumori në kokë.

Në dedikimin e saj, ajo bëri me dije se pas rishfaqjes së këtij problemi shëndetësor, të mërkurën pritet të ketë ndërhyrjet e para për trajtim.

Të ngjashme