Fshati që jeton me lavdinë e luftës

Prishtinë | 05 Gus 2018 | 11:16 | Nga

Emblema e betonuar e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shihet nëpër kodra e shpate të fshatit. Poshtë emblemave janë fotografitë dhe emrat e shkruar me të bardhë të ushtarëve të rënë nëpër beteja. Dëshmorët janë të trevave të ndryshme.

Ishin bashkuar në fshatin Jezerc për të luftuar për liri. Lapidarët janë shndërruar në pika orientuese për të huajt që kërkojnë ndihmën e vendësve. Nuk ka shenja zyrtare. Dorën e shtetit nuk po e ndiejnë as jezercasit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Nuk kanë vendosur as shenja të odave e shtëpive ku kishte qëndruar Shtabi, ose ku hanin e qëndronin ushtarët, e po vendosin shenja tjera!” – thekson zemërueshëm Gazmend Uksmajli në lagjen në krye të fshatit, ku zgjatet rruga që lidh fshatin më të madh të Ferizajt me fshatrat e Suharekës e të Shtimes.

“Budakova (fshat i Suharekës,v.j.) i ka vendosur tabelat nëpër të gjitha shtëpitë ku ka qëndruar e vepruar UÇK-ja”, thekson Uksmajli.

Bërthamë e zonës së luftës

“A këtu, nuk ki kurrfarë shenje”, ndërhyn një kushëri i tij, që nuk dëshiron të identifikohet. Kritkon ashpër ish-ushtarët e konvertuar pasluftës në politikanë për mungesë interesimi për fshatin ku kishin qëndruar me muaj të tërë.

“A këtu, kanë hangër e kanë pi. Ua kemi pre nga dhjetë dele e ua kemi pjekë në furrë. Nanat tona u kanë gatu me ka dhjetë tepsia”, vazhdon burri në fund të tridhjetave. “Na marrshin n’grykë e thoshin si të çlirohemi keni me pa sa nalt kemi me iu çu”, thekson burri.

Të ngjashme