Gjuetia e llojeve të rralla të faunës, e ndaluar dhe e dënueshme me ligj

Prishtinë | 03 Dhj 2016 | 12:19 | Nga

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Institutit për Mbrojtjes së Natyrës, dhe Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri, me shqetësim kanë ndjekur raportimet e ditëve të fundit për gjuetinë e llojeve të egra të faunës.

Raportimet nga disa organizata joqeveritare dhe nga individë të ndryshëm, përmes fotove e videove të shpërndara në rrjetet sociale dhe nëpër portale, ku vërehen gjuetia e kafshëve të egra dhe llojeve tjera të faunës kryesisht në rajonin e Dragashit, janë shumë shqetësuese.

Gjatë javës, me qëllim të mbrojtjes së kafshëve të egra nga gjuetia ilegale, DAPK “Sharri” i ka mbajtur takimet me udhëheqësit e Shoqatave të gjahtarëve në Prizren dhe Dragash, të cilit kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim në parandalimin e gjuetisë ilegale. Në takime është kërkuar ndërgjegjësimi më i madh i gjahtarëve në respektimin e dispozitave ligjore dhe për kujdesjen ndaj kafshëve të egra.

Gjatë kësaj jave në afërsi të fshatit Bresanë (Komuna e Dragashit), që gjendet jashtë territorit të PK “Sharri”, nga gjahtarët e kësaj komune janë vrarë dy ujqër.

Ekipet e DAPK Sharri, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar që gjuetia e këtyre dy ujqve (foto që qarkullonte në internet) kan dodhur në një distancë mjaft të largët nga territori i Parkut Kombëtar“Sharri”.

Megjithatë, prej fillimit të sezonës të gjuetisë janë rritur tentimet për gjueti ilegale në territorin e PK “Sharri”. Ndër zonat më të atakuara janë: Oshlaku, Koxha Ballkani, Rusenica, Koritniku dhe Brodi. Në zonën e Brodit (Komuna e Dragashit) ndërhyjnë gjahtarët ilegal nga Shqipëria dhe Maqedonia të cilit veprojnë si grup i organizuar. Nga këta gjahtarë ilegal, më të rrezikuara janë dhia e egër.
Për parandalimin e gjuetisë ilegale në zonat e rrezikuara janë duke u angazhuar ekipet e DAPK“Sharri”, ndërsa ndihmë është kërkuar edhe nga Shoqatat e Gjahtarëve dhe Policia e Kosoves.

Megjithëkëtë, AMMK rikujton se gjuetia e llojeve të rralla të gjitarëve ku bën pjesë edhe dhia e egër (Rupicapra rupicapra), pa marrë parasysh vendin ku ndodh ajo, është e ndaluar me ligj dhe është e dënueshme.

Për sqarim dhe informim të drejtë të opinionit, bëjmë me dije që gjuetia është e ndaluar në tërë territorin e Parkut Kombëtar. Gjithashtu, gjuetia është e ndaluar edhe në hapësirat tjera jashtë Parqeve Kombëtare përpos në vend gjahishtet e përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Me këtë rast AMMK, kërkon nga Inspektorët e Gjuetisë të Agjencionit të Pyjeve të Kosovës, Inspektorati Mjedisor i MMPH, Federata e Gjuetarëve të Kosovës dhe Shoqatat tjera të Gjuetarëve, që të mbajnë në kontroll gjuetinë dhe të respektojnë legjislacionin që mbron llojet e rralla të faunës.

AMMK, u bënë thirrje po ashtu edhe organeve të hetuesisë e veçanërisht njësisë së krimeve mjedisore të Policisë së Kosovës, që të hetojnë rastin dhe të marrin masa për rastet kur ka pasur shkelje ligjore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme