Gjykata Supreme lë në fuqi dënimin ndaj komisioneres së VV-së

Prishtinë | 25 Tet 2021 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Xhezide Selimi e ka humbur rastin e saj në Gjykatën Supreme.

Supremja e hodhi poshtë të hënën ankesën e komisionerës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, e cila u dënua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa shkaku i një fotografie të publikuar në ditën e zgjedhjeve.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Xh.S., anëtare e Komisionit zgjedhor në Vendvotimin QV2614/01D nga subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, e paraqitur kundër pikës III të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), A.nr.630/2021, të datës 20.10.2021”, tha gjykata në një vendim të hënën.

Kësisoj, Selimi nuk mund të ushtrojë për pesë vitet e ardhshme funksionin e komisioneres në zgjedhje, siç bëri të dielën e 17 tetorit.

Komisioneres së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje për pesë vitet e ardhshme, bazuar në një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të nxjerrë të enjten.

Shkak i vendimit u bë një ankesë e paraqitur ndaj saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe dy organizata jo-qeveritare, për një postim të një fotografie në Facebook ku ajo shfaqej duke votuar në ditën e zgjedhjeve dhe bënte thirrje për të votuar LVV-në.

“PZAP, të njëjtës ia ka ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidate, apo si pjesë admistrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vite”, thuhej në vendimin e PZAP-së.

Për veprimet e Aliut, PZAP-ja i ka shqiptuar një gjobë prej një mijë eurove Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik që ajo përfaqësonte si komisionere.

Të ngjashme