GLPS, kundër udhëzimeve të MD-së për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Specialja

Prishtinë | 08 Gus 2020 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron që draftimi i 3 Udhëzimeve Administrative si akte nënligjore për mbrojtjen juridike pranë Gjykatës Speciale, mbështetjen e nevojshme financiare për anëtarët e familjes së tyre, dhe  kompensimin e personave që shpallen të pafajshëm, pa konsultim publik, në formë jotransparente dhe pikërisht në kohën kur persona në pozitat më të larta shtetërore presin të ju konfirmohet ose jo aktakuza, tregon tendencen e Ministrisë së Drejtësisë për shkeljen e legjislacionit në fuqi, abuzimin financiar me fondin e dedikuar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe keqpërdorimin e konceptit të ndihmës së nevojshme juridike.

GLPS që nga viti 2015 kur është miratuar Ligji Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Ligji Nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të personave të akuzuar potencial në procest gjyqësore pranë dhomave të specializuara (Ligjin Nr. 05/L-053), ka kërkuar zëshëm dhe në vazhdimësi draftimin dhe miratimin e akteve nënligjore për përcaktimin e procedurave dhe kritereve për të fituar të drejtën e mbrojtjes juridike dhe kompenzimit financiar nga buxheti i Republikës së Kosovës për procedurat që zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara.

Me datën 24 korrik 2020, përmes një shkrimi të Grupit Koha është raportuar që Ministria e Drejtësisë ka draftuar 3 dokumente për këtë qëllim. Me këtë rast, GLPS i bën thirrje Ministrisë së Dejtësisë që të njëjtat dokumente të ri-shqyrtohen dhe theks i veçantë të vihet mbi pikat si në vijim.

Fillimisht duhet theksuar që në draftimin e këtyre dokumenteve Ministria e Drejtësisë ka shkelur Rregulloren Nr.05/2016 për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik. Kjo Rregullore obligon Qeverinë që të përfshijë të gjitha palët relevante, qytetarët dhe shoqërinë civile në procesin e draftimit të legjislacionit. Pra, Ministria e Drejtësisë në një proces të mbyllur, jo-transparent dhe joligjor ka draftuar këto akte duke injoruar kërkesën e vazhdueshme të GLPS-së që akte të tilla të miratohen nga me kujdes të shtuar dhe përmes një procesi gjithëpërfshirës. Për më tepër, GLPS ka trajtuar me kujdes secilin dokument dhe në pika të shkurtëra trajton disa nga çështjet të cilat domosdo duhet ndryshuar dhe ri-shkruar ashtuqë të jenë në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi.

Udhëzimi administativ për mbrojtjen juridike përcakton procedurën e mbulimit të shpenzimeve të mbrojtjes juridike të personave të akuzuar pranë Gjykatës Speciale. Asnjëri prej ligjeve që e rregullojnë këtë aspekt nuk e njeh të drejtën e secilit të akuzuar për kompenzimin e mbrojtjes së tij/saj. Një e drejtë e tillë i garantohet vetëm atyre që dëshmojnë që nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar mbrojtjen e tyre. Kjo ngaqë Ligji Nr. 05/L-053 ka përcaktuar si kriter primar pamundësinë e të akuzuarit potencial ta paguajë një mbrojtje të tillë. Një gjë e tillë nuk reflektohet fare në këtë udhëzim meqënëse i njejti ju njeh këtë të drejtë të gjithë të akuzuarve dhe nuk përcakton asnjë modalitet për dëshmimin e pamundësisë financiare për mbrojtje juridike. Dhe një rregullim i tillë i ofruar nga ky udhëzim administrativ është në kundërshtim me dy ligjet përkatësë. Së dyti, udhëzimi në fjalë dështon të ofrojë kritere të qarta se ku duhet bazuar Komisioni për vlerësimin e kërkesës për mbrojtje juridike. Kjo ngaqë ky udhëzim përmend si kritere arsyeshmërinë, efikasitetin, efektivitetin dhe atë të tregut duke e lënë të hapur mundësinë e keqinterpretimit të këtyre kritereve. Njëkohësisht, tek parimet dhe kriteret për vendimmarrje në Komision të përcaktuara në nenin 15 të udhëzimit, bazë për përcaktimin e tyre janë tarifat e Odës së Avokatëve të Kosovës, tarifat për avokatë në Holandë, tarifat nga shtetet tjera prej nga vjen mbrojtësi dhe, tarifat për mbrotje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara. Kjo e fundit është tërësisht e paqartë si mjet për përcaktimin e shumës për mbrojtje dhe konfuze se ku është e bazuar. Prandaj një rregullim i tillë i cili së pari, nuk përcakton limitin e shumës që mund të kompenzohet dhe së dyti, përdor terme konfuze dhe të paqarta, ofron mundësi keqpërdorimi dhe abuzimi financiar të këtij fondi. Së katërti, neni 17 i këtij udhëzimi përcakton që dokumentacioni për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike trajtohen sipas Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë si dhe Vendimin e Kryeministrit Nr. 2192/2019, të datës 31.01.2019. Ky vendim përcakton që çdo informatë që ndërlidhet me Gjykatën Speciale është informacion i nivelit (Sekret) dhe përjashtim nga kjo rregull janë vetëm informatat që kanë të bëjnë me mjetet e shpenzuara financiare lidhur me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare. Një rregullim i tillë është tentim për abuzim financiar dhe shkelje e parimit të transparencës dhe llogaridhënies, meqenëse burimi financiar i cili përdoret për realizimin e qëllimit të këtij udhëzimi është buxheti i Republikës së Kosovës dhe për çdo shpenzim të tij garantohet e drejta për informim qytetar të çdo pale me interes. Dhe një gjë e tillë po tentohet të minohet më klasifikimin (Sekret) të dokumenteve që dëshmojnë se ku dhe si po shpenzohet paraja publike. Së pesti, sipas këtij udhëzimi me nenin 11, shpenzimet mujore të mbrojtjes juridike mund të tejkalohen nëse Komisioni e vlerëson të drejtë. Një e mundësi e tillë i është dhënë Komisionit pa asnjë kufizim ose kriter në të cilin i njejti duhet të bazohet për aprovimin e një procedure të tillë.

Ndërsa, udhëzimi administrativ për mbështetjen financiare të anëtarëve të familjes së të akuzuarve me anë të nenit 5 përcakton që brenda një viti çdo person i akuzuar ka të drejtë të vizitohet nga më së shumti 12 anëtarë të ngushtë të familjes; në secilën vizitë nuk mund të jenë më shumë se tre persona; dhe secila vizitë duhet të jetë 3 ditë. Udhëzimi nuk kufizon numrin e vizitave të cilat mund të realizohen brenda një periudhe kohore duke e lënë kështu hapësirën që një gjë e tillë të keqpërdoret. Për më tepër, paragrafi 3 i këtij neni i njeh mundësinë Ministrit të Ministrisë së Drejtësisë që të lejoj realizimin e vizitave shtesë për anëtarët e ngushtë të familjes, kompetencë kjo e cila i takon Komisionit. Një rregullim i tillë ofron mundësinë e krijimit të situatave diskriminuese, ndërhyrjes së kompetencave si dhe keqpërdorimit të fondit të paraparë. Së treti, neni 7 i udhëzimit përcakton që biletat e udhëtimit sigurohen përmes operatorit të kontraktuar nga Ministria në lartësinë e biletës së udhëtimit të klasit ekonomik varësisht nga mjeti i transportit që zgjidhet. Ky nen nuk përcakton limitin e shumës që mund të kompenzohet për një udhëtim të tillë duke lënë mundësinë e hapur për shpenzime të panevojshme të cilat mund të reduktohen dhe të mos shërbejnë si mjet keqpërdorimi të parasë publike.

Prandaj, GLPS vlerëson që këto akte nënligjore dështojnë të respektojnë dhe të konkretizojnë legjislacionin aktual dhe për më tepër ofrojnë mundësi për abuzim me fonde publike. Rrjedhmisht, GLPS i kërkon Minsitrisë së Drejtësisë ri-draftimin e këtyre dokumenteve përmes një procesi ligjor, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Të ngjashme