Haradinaj-Stublla dhe Dumoshi nënshkruajnë marrëveshje për promovimin e diplomacisë kulturore

Prishtinë | 24 Nën 2020 | 11:14 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova edhe zyrtarisht ka nisur një fazë të re të prezantimit nëpër botë, përmes diplomacisë kulturore. Për këtë qëllim ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj-Stublla tha se kjo konsiderohet një arritje e rëndësishme e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të fillojë promovimin e shtetit të Kosovës, tani edhe në rrafshin kulturor.

“Shteti ynë po fiton çdo ditë miq të rinj, e përkrahës të pashoq në rrugën e tij të konsolidimit dhe prezencës në botë. Por, Kosova ka edhe Ambasadorë pa kredenciale e pa grada diplomatike që përfaqësojnë çdo ditë e vullnetshëm në mënyrën më të dinjitetshme Kosovën dhe vlerat e saj kulturore, artistike, sportive, akademike etj”.

Ajo tha se deri tani Kosova është përfaqësuar në mënyrë të shkëlqyer nëpër botë, nga njerëzit tanë të cilët kanë arritur rezultate kulminante në kulturë e sport siç janë; Rita Ora, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Majlinda Kelmendi, Lorik Cana e shumë e shumë të tjerë, e të cilët kanë qenë me vite ambasadorë të kulturës e vlerave shqiptare kudo që kanë vepruar e punuar.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, me ministren Dumoshi kemi arritur për herë të parë të ndërtojmë një platformë për diplomacinë kulturore, kjo formë e vyer e përfaqësimit të vlerave tona të përbashkëta, deri më tani e pazhvilluar. Me këtë marrëveshje jemi zotuar të rrisim prezencën e imazhit, kulturës, traditës së Kosovës në misionet tona diplomatike dhe përmes tyre anembanë botës”.

Kurse Dumoshi tha se me anë të kësaj marrëveshjeje specifikohet mënyra dhe qëllimi i përfaqësimit diplomatik edhe në rrafshin kulturor.

Dumoshi, tha se me anë të kësaj Marrëveshje mundësohet emërimi i Atasheve Kulturorë të cilët do të promovojnë kulturën e Republikës së Kosovës në vendet ku ata akreditohen.

“Atashe Kulturorë do të emërohen figurat eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit tonë në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës  duke u bazuar në synimin e përbashkët për fuqizimin e diplomacisë kulturore dhe sportive”.

Të ngjashme