Hoti nënshkruan memorandum me Kryetarin e Novobërdës, Svetislav Ivanovic

Prishtinë | 06 Mar 2019 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanovic për realizimin e Programit Nacional për Rininë.

Koordinatori Hoti tha se qeveria ka miratuar programin që u mundëson të gjithë të rinjve të të gjitha komuniteteve të jenë pjesë e tij.

“Jam shumë i lumtur që sot po nënshkruajmë marrëveshje që edhe të rinjt e komunitetit serb të jenë pjesë e programit. Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës dhe i gjithë dokumentacioni është i përkthyer edhe në gjuhën serbe. Unë shpresoj që përmes programit që ne po ofrojmë, nxënësit e komunitetit shqiptar dhe serb në Komunën e Novobërdës të jenë shembull i bashkëpunimit dhe tolerancës ndëretnike”, tha Koordinatori Hoti.

Edhe Kryetari Ivanovic e mbështeti Programin Nacional për Rininë duke e cilësuar si një investim të rëndësishëm për arsimimin e nxënësve të komunitetit serb në Kosovë.

“Gëzohem që sot kemi mundësinë të bashkëpunojmë për një program të veçantë për nxënësit e komunitetit serb. Unë do ta mbështes këtë program sepse është ekskluzivisht për të rinjt tanë dhe është shumë i domosdoshëm për ta. Unë pres që nxënësit e komunitetit serb dhe shqiptar në komunën tonë të marrin pjesë dhe të dalin më të mirët në garë”, theksoi Ivanovic.

Po ashtu, i shoqëruar nga zëvenedësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, Koordinatori Hoti vizitoi Shkollën e Mesme Ekonomike në Novobërdë, ku u takua me stafin menaxherial dhe me nxënës.

​Për më shumë, marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar sot, përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin.

Të ngjashme