Hungaria i dhuron Kosovës donacion sportiv, dëshiron ta promovojë Teqballin

Prishtinë | 12 Gus 2021 | 11:33 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Jashtme e Hungarisë dhe Federata e Teqballit e këtij shteti kanë dhuruar dy tabela për lojën Teqball për Komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit, raporton Ekonomia Online.

Ambasadori i Hungarisë, József Bencze, tha se dëshirojnë të përhapin këtë sport më shumë në Kosovë.

“Teqball është një sport i ri, i cili ka zanafillën në Hungari. Ne jemi krenar dhe dëshirojmë që ta përhapim këtë sport në Kosovë, Evropë dhe gjithë botën. Është një sport atraktiv dhe mjaft i famshëm. Shpresoj që në të ardhmen Teqball të jetë edhe pjesë e lojërave olimpike”, u shpreh ai.

Bencze ka uruar Kosovën për dy medaljet e arta që xhudistet kosovare i fituan në Olimpiadën e Tokios.

Zëvendësministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka falënderuar për donacionin Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, si dhe Shoqatën e Teqballit të Hungarisë. Ajo tha se për zhvillimin e këtij sporti akoma mungon infrastruktura e nevojshme dhe trajnimi profesional.

“E nderuar që jam e pranishme në një event të tillë ku sporti i Kosovës po pranon një donacion prej Qeverisë së Hungarisë dhe prej Federatës së Teqballit me dy tabela të Teqballit; njëra po dhurohet për Komunën e Prishtinës dhe tjetra për Komunën e Prizrenit. Teqballi është sport shumë i ri në Kosovë. Sportet të cilat kërkojnë infrastrukturë specifike pa infrastrukturë edhe nuk munden me u luajt e me zhvillu. Këto dy tabela kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e Teqballit në Kosovë në aspektin e promovimit edhe që përmes saj kemi me pas mundësi të zhvillimit profesional të Teqballit në Kosovë. Ka mungesë të infrastrukturës por nuk duhet të harrojmë edhe profesionalizmin e trajnerëve”, është shprehur ajo.

Ndërsa Fitim Rexha, drejtor për Sport në Komunën e Prishtinës, ka thënë se do të përkrahin me të gjitha kapacitet që Teqballi të arrijë zhvillimin e duhur.

“Ne si komunë kemi të regjistruara disa klube të Teqballit të cilat po zhvillojnë aktivitetin e tyre në komunën tonë dhe ne do ta përkrahim Federatën ndërkombëtare të Teqballit që ky sport të zhvillohet në shtetin tonë me të gjitha kapacitetet. Uroj për këtë donacion klubet e Prishtinës dhe ju dëshiroj suksese të mëdha”, ka thënë ai.

Ndërsa nga Federata Botërore e Teqballit, tha se Kosova do t’i ketë përfaqësuesit e vet në këtë Lojërat Evropiane për këtë diciplinë.

“Edhe pse një sport i ri, Teqball është pranuar zyrtarisht si disiplinë në Lojërat Evropiane 2023. Edhe Kosova do t’i ketë përfaqësuesit e vet në këto lojëra, prandaj po me duket edhe koha e duhur për këtë donacion. Kemi dhuruar disa pajisje por federata ndërkombëtare do të dhurojë edhe të tjera. Ndjehuni të lirshëm të flisni me reprezentativët që t’i merrni këto pajisje dhe të hapni klube në të gjitha regjionet, jo vetëm në Prishtinë. Në tri ditët e ardhshme do të mbahet një seminar për trajnerë dhe gjyqtarë të këtij sporti. Të shpresojmë që pas xhudos, në Lojërat Evropiane Kosova do të ketë medalje edhe në Teqball”.

Të ngjashme