Instituti EduMedia: Edukimi Medial të futet në planprogramin shkollor

Prishtinë | 02 Sht 2019 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Instituti EduMedia, ka vlerësuar se është nevojë urgjente futja e lëndës Edukim Medial në planprogramin shkollor.

Sipas këtij instituti, kjo lëndë është për shkak të ekspozimit enorm të fëmijëve ndaj rreziqeve të ndryshme nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe të rrezikshme në medie.

“Me fillimin e vitit të ri shkollor, Instituti EduMedia dëshiron të potencojë edhe një herë domosdoshmërinë e futjes së lëndës Edukim Medial në programet mësimore të shkollave tona fillore. Instituti EduMedia vlerëson se është nevojë urgjente përfshirja e kësaj lënde në planprogramet shkollore, për shkak të ekspozimit enorm të fëmijëve ndaj rreziqeve të ndryshme nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe të rrezikshme në medie. Për të mbrojtur fëmijët, nga dezinformatat, nga dhuna e shfaqur në medie apo çfarëdo përmbajtje tjetër mediale negative, ata duhet të aftësohen që të kenë gjykim kritik dhe aftësi për t’u shmangur nga rreziqet. Përfundimisht, konsiderojmë që ky vit shkollor duhet të shfrytëzohet për të marrë vendimin e shumëkërkuar dhe të shumënevojshëm, për futjen e lëndës së Edukimit Medial në planprogramet obligative shkollore. Gjatë këtij viti, Departamenti i Gazetarisë i Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me SBASHK-un ka filluar mbajtjen e trajnimeve të mësimdhënësve për edukim media, por kjo iniciativë e edukimit joformal, duhet të plotësohet me projekte të tjera, veçmas në arsimin formal”, thuhet më tej në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme