Ish-ministri i Shëndetësisë: S’duhet të ketë mbyllje, mund të ketë pasoja serioze në shëndetin mendor

Prishtinë | 24 Tet 2020 | 07:52 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri i të infektuarave me Coronavirus ka shënuar rritje ditëve të fundit, por edhe përkundër kësaj ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, po e konsideron të panevojshme një mbyllje të dytë.

Agani në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se nëse do të ketë përkeqësim të situatës me pandeminë, atëherë mund të ketë vetëm mbyllje selektive në zona të caktuara.

“Mendoj se nuk duhet të kemi një mbyllje të dytë, por duhet të nxjerrim mësime nga mbyllja e parë. Me siguri se nëse ballafaqohemi me situatë më të vështirë të përhapjes së infeksionit me siguri se do të ketë nevojë për mbyllje, por jo totale vetëm selektive në zona të caktuara të qyteteve apo fshatrave të caktuara e kurrsesi në tërë vendin njëkohësisht”.

Agani foli edhe sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë, duke theksuar se është bërë maksimumi në këtë drejtim. Por thotë se mund të ketë valë të dytë dhe të tretë të virusit.

“Në përgjithësi janë duke u bërë përpjekje maksimale që pandemia të kontrollohet brenda mundësive të cilat i ka shteti dhe mendoj se në këtë drejtim është ka bëhet maksimumi. Ka mjaft mënyra të cilat nuk janë duke u shfrytëzuar. Pra nuk janë vënë në funksion të gjitha instrumentet e mundshme për ballafaqimin me pandeminë. Duhet të bëhet testimi më masovik i popullatës. Mendoj se potencialeve dhe kapaciteteve që kemi është duke u bërë maksimumi”.

“Një rezervë e madhe që nuk e kemi shfrytëzuar ende është vetëdija e qytetarëve. Gjithsesi se mund të kemi edhe valën e dytë dhe të tretë të përhapjes së virusit. Duhet të jemi të përgatitur për këtë sidomos gjatë muajve të dimrit kur përfundimisht kushtet klimatike për përhapjen e virusit janë më të volitshme për virusin dhe fillojnë edhe viruset e tjerë”.

Tutje, ai tha se pasojat në rrafshin e shëndetit mendor janë serioze dhe prekin të gjitha grupmoshat. Sipas tij, stresi është duke kushtëzuar shkallë të lartë të ankthit dhe depresionit.

“Unë nuk kam qenë në një situatë të shoh një valë të tillë të çrregullimeve të shëndetit mendor siç ka ndodhur pas tre mujorit të parë të paraqitjes së infeksionit dhe mbylljes totale të popullatës. Pasojat në rrafshin e shëndetit mendor janë masive dhe janë serioze dhe prekin të gjitha grupmoshat e popullatës. Një mbyllje e re totale do të kishte pasoja më serioze”.

“Qytetarët i kanë të shfrytëzuara të gjitha forcat mendore për ballafaqimin adekuat në shkallën e stresit. Stresi është duke kushtëzuar shkallë të lartë të ankthit dhe depresionit dhe duke pasur parasysh se kemi një përvojë traumatike atëherë ekziston mundësia e fillimit të paraqitjes së çrregullimit të stresit postraumatik”.

Neuropsikiatri Agani shtoi se shumë ekipe në botë janë duke punuar në zbulimin e vaksinës, por që shton se duhet shumë punë në këtë drejtim, raporton EO.

“Shumë ekipe në botë janë duke punuar në zbulimin e vaksinës. Kohëve të fundit shumë prej këtyre ekipeve kanë vështirësi po paraqiten edhe efektet e padëshiruara anësore te disa prej atyre të cilët janë testuar. Në anën tjetër ka informata se disa grupe janë më të avancuara. Ende është një situatë e paqartë lidhur me këtë çështje”.

“Unë mendoj se duke pasur parasysh ngutin në këtë proces për provimin e një vaksine ndaj një virusi të ri jam mjaft skeptik se mund të arrijmë brenda një kohe të shkurtër të kemi në dispozicion një vaksinë ekifase për gjithë njerëzit. Duhet shumë punë laboratorike i cili do të rezultonte në një vaksinë të suksesshme”, u shpreh ai.

Të ngjashme