Ish-pjesëtari i UÇK-së dëshiron të luftojë krah popullit ukrainas kundër Rusisë

Prishtinë | 02 Mar 2022 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Feriz Deliu, i njohur edhe si komandant Kabashi, ka shprehur vullnetin e tij, që t’i bashkohet popullit ukrainas në luftën kundër Rusisë.

Arsyeja se pse ai dëshiron të marrë pjesë në këtë luftë, tha se është që t’i dalë në ndihmë Ukrainës pasi ia kujton Kosovën, që kishte luftuar për lirinë e saj.

“Lufta e Ukrainës është luftë e drejtë, luftojnë në vendin e vet, për lirinë e vet, ne e kemi përjetuar këtë, dhe sot fëmijët e Ukrainës janë nën bombat e Rusisë, një agresori. Nuk mund të fle, e paramendoj popullin e Kosovës si ka qenë në kohën e luftës”, ka thënë Deliu për Info Magazine.

Deliu tha se dëshira e tij është që qeveria e vendit ta heqë ligjin që ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja, duke shtuar se ka shumë dëshirë t’i bashkohet aleatëve të Kosovës në këtë luftë.

“Dëshira ime është që Qeveria e Kosovës, ta heqë ligjin për luftëtarët jashtë Kosovës, shpresoj që Kosova ta heqë këtë ligj dhe të luftojmë përkrah popullit ukrainas… Dëshira jonë është që t’i dalim në krah aleatëve tanë, amerikanë, gjermanë, anglezë, kanadezë e shumë të tjerë që sot e përkrahin dhe e ndihmojnë Ukrainën”, ka thënë ai.

“Ne si pjesëtarë të Kosovës kemi dëshirë të jemi pjesë e asaj lufte që t’i ndihmojmë atij populli, ta shpëtojmë një jetë, se nëse arrijmë ta shpëtojmë një jetë, kemi arritur ta shpëtojmë krejt botën”, shtoi ai.

Të ngjashme