Kërkohet rritje të programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje dhe në baza gjinore

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 13:42 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime – SIT, ka publikuar raportin “Analizë e shërbimeve të ofruara në Kosovë për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”, raporton Ekonomia Online.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, Kadri Gashi ka thënë se si Qendër për herë të parë në Kosovë merren me rehabilitimin e kryerësve të dhunës qoftë asaj në familje apo në baza gjinore.

“Nga viti 2018 ka filluar kjo iniciativë ndryshe. Kemi hap Qendrën e parë për shërbime këshilluese, ku merremi me rehabilitim e kryesve të veprave dhunës në familje dhe në baza gjinore”, është shprehur ai.

Analistja e Programit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues dhe Rini nga zyra e UNFPA në Kosovë, Zarife Miftari ka thënë se lufta për barazi gjinore është një epidemi botërore.

Po ashtu,  ajo njoftoi se nga kjo organizatë ofrojnë shërbime për zbutjen e problemit të dhunës në familje e asaj në baza gjinore.

“Dhuna ndaj grave është nga shkeljet më të mëdha dhe lufta për barazi gjinore vazhdon të mbetet një epidemi botërore. Dhuna në bazë gjinore duhet të kuptohet shumë më gjerë që dëmton shëndetin e të integritetin e tyre. Vajzat dhe gratë mbesin të heshtura. Programet që ne i japim përfshijnë ndihmën psiko-sociale dhe promovimin e grave për të jetuar pa dhunë. Kemi programe që përpiqemi të kontribuojmë në zbutjen e këtyre problemeve, si martesat e hershme. Nuk njihet vetëm dhuna fizike si akt dhune ndaj grave”,  është shprehur ajo.

Ajo ka shtuar se nuk mjafton të merremi me viktimat, por duhet të trajtohen edhe kryerësit e veprës së dhunës.

“Nuk mjafton që të flasim vetëm për viktimat dhe pasojat e tyre, duhet trajtuar edhe kryerësit e veprave dhe të veprojmë që mos të përsëritën ato”,  ka thënë ajo.

Ndërsa, Iris Luaraai nga Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem në Shqipëri tregoi një histori konflikti mes një qifti. Mosmarrëveshje kjo që rezultoi me sukses duke u zgjidhur problemet e tyre përmes qendrës së tyre.

Nga ky rast Luarasi tregoi se u nxit që nga linja për këshillim për gra e vajza të punojnë edhe me burrat e djemtë.

Pra Luarasi thotë se  nga historia e atij qifti që pati, kuptoi se ka rëndësi të merremi edhe me kryerësit e dhunës aq sa me viktimat.

Kurse zyrtarja për hulumtime në SIT, Leonita Berisha ka paraqitur të dalat kryesore të hulumtimit lidhur me kryerësit e dhunës në familje dhe atij në baza gjinore.

Ajo ka konsideruar se struktura patriarkale e familjes në Kosovë ka ndikuar negativisht në të drejtat kryesore të grave.

“Kosova karakterizohet nga strukturë patriarkale të familjes, normave shoqërore tradicionale dhe qëndrimeve kulturore konservative që kanë ndikuar negativisht tek të drejtat e grave për të pasur ndikim në fushën politike, ekonomike e shoqërore”, është shprehur ajo.

Berisha ka treguar se në raportin e tyre janë përfshirë institucionet kryesore që mund të punojnë në këtë drejtim.

“Punimi është kryer me metodë kualitative që ka përfshirë pjesëmarrës nga institucionet që janë përgjegjëse për ofrim të shërbimeve për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe në baza gjinore si dhe organizata joqeveritare që luftojnë për këtë problem”,  ka shtuar ajo.

Gjithashtu ajo kërkoi vëmendje të shtuar të institucioneve sa i përket trajtimit të kryerësve të dhunës.

“Shërbimet e ofruara nga institucionet tona tregojnë se nuk përfaqësojnë standarde të qarta për këtë kategori por janë të përgjithshme. Të rregullohet me ligj referimi për kryerësit e dhunës. Të sigurojë rritje për programe për trajtimin e kryerësve të dhunës”,  tha ajo mes tjerash.

Të ngjashme