Këshilli i Evropës me raport se si të zbatohen të drejtat gjuhësore në arsim

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Evropës ka publikuar raportin “Nxitja e mësimit të gjuhëve dhe e kulturës demokratike në shkolla “, një raport vlerësimi i detajuar, duke sjellë rekomandime dhe udhëzime mbi mënyrën se si t’i zbatojnë të drejtat gjuhësore në arsim dhe të mësojnë gjuhët zyrtare në komunitete të përziera demokratike në shkolla.

Përveç raportit, në konferencë u prezantua edhe studimi bazë mbi perceptimet gjuhësore dhe kulturore të të rinjve, qëndrimet e tyre ndaj gjuhëve të ndryshme, mësimin e gjuhës dhe folësit e gjuhëve të tjera.

Vlerësimi i detajuar dhe studimi bazë janë pjesë e projektit “Përkrahja e përafrimit përmes arsimit për demokraci dhe të mësuarit e gjuhëve – FRED”, financuar bashkarisht nga Mbretëria e Norvegjisë dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.

Konferenca mblodhi më shumë se njëqind e njëzet pjesëmarrës, duke përfshirë zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Komisionerit të Gjuhëve, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze, Drejtorive Komunale për Arsim dhe përfaqësuesve të shkollave. Ata kishin një mundësi për t’u njohur me kompetencat për kulturën demokratike, mësimin e gjuhëve, politikat kombëtare, politikat gjuhësore në rajon, përdorimin e materialeve shumëgjuhëshe për kulturën gjithëpërfshirëse të shkollës dhe gjithashtu për të parë një prezantim të aktiviteteve të bazuara në shkollë.

Projekti FRED është duke u zbatuar në bashkëpunim me 11 shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë për të promovuar një imazh pozitiv të plurilingualizmit lokal dhe rajonal dhe plurikulturalizmit si bazë për mësimin e suksesshëm të gjuhëve dhe dialogun ndërkulturor. Projekti synon të nxisë afrimin midis komuniteteve të ndryshme duke krijuar mundësi për dialog mes individëve dhe komuniteteve dhe duke ndërtuar besimin të ndërsjellë përmes arsimimit dhe mësimit të gjuhëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme