KMDLNj: Protesta është e drejtë e pamohueshme, regjisori Plakolli të mos pengohet nga policia

Prishtinë | 20 Kor 2022 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka dalë në mbrojtje të aktorit dhe regjisorit Sokol Plakolli, i cili që nga data 18.05.2022, po mban protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Arsyeja e protestës është keqpërdorimi i konkursit publik për Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar. Plakolli, protestën po e mban çdo ditë pune për 15 deri në 45 minuta me megafon dhe tupan, si simbolikë për t’i bërë thirrje kryeministrit për zbatim të ligjit.

Por, Plakolli i ka deklaruar KMDLNj-së se ai po pengohet nga Policia e Kosovës në mbajtjen e protestës, si e drejtë themelore për të shprehur pakënaqësi. Ai ka deklaruar se ka njoftuar Policinë e Kosovës për mbajtjen e protestës e cila do të zgjasë deri në plotësim të kërkesave.

KMDLNj, nëpërmes një komunikate për shtyp, ka shprehur mbështetjen për të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë përmes protestës dhe të njëjtën e përkrahë derisa ajo nuk është e dhunshme apo nuk cenon të drejtat e të tjerëve.

Regjisori Sokol Plakolli i ka deklaruar KMDLNj-së se protestat që i bën janë në përputhje me ligjin dhe se Policinë e Kosovës e lajmëron me kohë andaj nuk e ka të qartë pse pengohet në realizimin e njërës ndër të drejtat themelore të njeriut, e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore.

KMDLNj i bën thirrje Policisë së Kosovës që qytetarit t’i lejohet e drejta e tij për mbajtje të protestës për aq kohë sa nuk paraqet rrezik apo cenim për punonjësit e institucioneve qeveritare apo qytetarëve të tjerë kalimtarë.

KMDLNj përkrahë çdo protestë që është në përputhje me ligjin dhe, në rastin konkret e përkrah edhe protestën e Sokol Plakollit, si e drejtë e njeriut, e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, thuhet në reagimin dërguar medieve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme