Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me një grup studentësh nga Austria për sfidat në qeverisje dhe në politikë

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me një grup studentësh nga shtete të ndryshme të botës që ndjekin studimet master në Austri, në fushën e të drejtave të njeriut. Delegacionit të studentëve u prinin profesorët e tyre, Marijana Grandits dhe Manfred Novak.

Duke e falënderuar për pritjen, profesorja Grandits tha se studentët kanë shprehur dëshirë që të dëgjojnë pikëpamjet dhe sfidat me të cilat përballet kryeministri Kurti në qeverisje dhe në politikë.

Kryeministri foli për prioritetet qeveritare, pandeminë Covid19, përmirësimin e arsimit, reformat e nisura në drejtësi dhe për rrugën politike të Republikës së Kosovës për integrim evropian dhe euroatlantik.

Duke folur për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19, kryeministri Kurti tha se pas shpërthimit të variantit të rrezikshëm Delta, në muajin e kaluar, e që rriti ndjeshëm numrin e infeksioneve, gjendja tani ka filluar të përmirësohet.

Ai tha se Kosova ka administruar mbi 1 milion doza të vaksinës dhe kjo shton shpresën për tejkalimin më të lehtë të gjendjes dhe forcimin e imunitetit të popullatës ndaj valëve të reja të mundshme të përhapjes së virusit.

Kryeministri tha se që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Republika e Kosovës nuk ka pasur stabilitet më të madh institucional dhe politik.

Dhe ky stabilitet po ndikon edhe në përparimin ekonomik, tha kryeministri gjersa i njoftoi studentët për rritjen e parashikuar ekonomike prej 7,9 % të bruto prodhimit vendor, rritjen e eksporteve prej 63%, të qarkullimit të biznesit prej 30% dhe të të hyrave të qeverisë prej 28%.

Studentët u interesuan të dinë nga kryeministri për politikën që do të ndjekë Kosova në arenën ndërkombëtare, për procesin e dialogut me Serbinë, për mënyrën sesi po e lufton korrupsionin etj.

Kryeministri tha se mënyra më e mirë që bashkësia ndërkombëtare mund të përkrahë Kosovën është heqja e regjimit të vizave, sepse kjo do t’ua lehtësonte studentëve lëvizjen për studime në universitete ndërkombëtare, ndërsa bizneseve do t’u ndihmonte të zgjerojnë dhe të zhvillojnë më lehtë aktivitetet e tyre.

Ai tha se mënyra tjetër e ndihmës do të ishin rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimet e pëbashkëta të kompanive të huaja me bashkatdhetarët tanë në mërgatë.

Kryeministri tha se korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por sistem, dhe meqenëse nuk është shoqëror por institucional, së pari duhet të luftohet në institucione. Reformat e nisura në sistemin e drejtësisë, janë hapi i parë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, tha ai.

Të ngjashme