Kryesuesi i KPK-së priti në takim Drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim Drejtorin Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku.

Gjatë këtij takimi Kryesuesi Maloku është njoftuar nga Mazreku, për aktivitetin e Byrosë Kosovare të Sigurimit të zhvilluar në 15 muajt e kaluar dhe avancimet që ka shënuar ky institucion në këtë periudhë, duke funksionalizuar edhe sistemin e Qendrës Informative të Byrosë, të njohur si “InsureX”.

Po ashtu, dy bashkëbiseduesit kanë pasur temë diskutimi krijimin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, veçanërisht për shkëmbimin e përvojave profesionale mes dy institucioneve përkatëse.

Kryesuesi Maloku, ka vlerësuar zhvillimet teknologjike në Byronë Kosovare të Sigurimit me zbatimin e sistemit qendror për sigurimet “InsureX”, si dhe gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e shkëmbimit të të dhënave për rastet e aksidenteve në komunikacion të mundësuar përmes këtij sistemi, bazuar në nenin 24 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia.

Të dy përfaqësuesit e institucioneve u shprehen të gatshëm për vazhdimin e komunikimeve drejtë formalizmit të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit, në të cilin do të përcaktohen të drejtat dhe autorizimet e palëve me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme