Kryqit i Kuq i interesuar të ndihmoj në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 09:46 | Nga

Këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka, Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, priti në takim Shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Agim Gashi.

Me këtë rast, Shefi i Misionit të KNKK-së, Agim Gashi, në përkrahje të nismës për hartimin e Planit të Përbashkët të institucioneve kompetente, i dorëzoi Mbajtësit të Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, propozimet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për përfshirje të mundshme.

Propozimet kyçe të KNKK-së ndërlidhen me zbatimin dhe plotësimin e bazës ligjore për çështjen e personave të zhdukur, mundësitë për sigurimin e informatave të reja, si dhe adresimi i çështjes së mbetjeve mortore të paidentifikuara.

Jahja Lluka, duke vlerësuar lartë angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, falënderoi KNKK-në për propozimet e dorëzuara dhe i njoftoi rreth aktiviteteve të planifikuara nga ana e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për adresimin e kërkesave të drejta të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur.

Palët u pajtuan që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinojnë aktivitetet në përpjekjen e përbashkët që familjet e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme