Kush janë kumtuesit e rezultateve të testit për Covid-19?

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Së paku 50 telefonata brenda ditës ka realizuar një punonjës i Qendrës Operative të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, gjatë javëve kur shifrat ishin rekorde.

Nga këto thirrje kumtoheshin vetëm rezultatet e atyre që janë konfirmuar me COVID-19.

Megjithatë, Qendra Operative e IKSHPK-së komunikon rezultatet vetëm të atyre që testohen në pikën kryesore të këtij institucioni dhe brenda rajonit të Prishtinës.

“IKSHP i komunikon rastet pozitive dhe ato negative për qytetarët që testohen këtu. Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik i komunikojnë rezultatet për të testuarit nga qytetet e tyre si dhe laboratorët private- pacientëve të tyre, ku të njëjtit e kanë obligim t’i tregojnë se duhet të izolohen“, deklaroi Besfort Kryeziu, mjek në IKSHPK.

Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe kur testimet e kanë kaluar shifrën mbi 10mijë brenda ditës, ka pasur më shumë punë për mjekët vullnetarë të Qendrës së Thirrjeve të cilët i komunikojnë vetëm rezultatet negative.

“Ata kanë më shumë punë në numër, ngase ka më shumë qytetarë që rezultojnë negativ, mirëpo ata mjekë vetëm kanë për t’i kumtuar lajmin se ka rezultuar negativ, dhe kanë më pak pyetje ose kërkesa për informata .Kurse tek ne, kemi më pak punë në numër, mirëpo një telefonatë zgjat 5-10 minuta për shkak se duhet të merren të gjitha informacionet kur një qytetar është konfirmuar me virus“, deklaroi Besfort Kryeziu nga IKSHPK.

Për stafin e këtushëm, kjo periudhë kur vendi po përballet me variantin Delta dhe me shifra të mëdha, ka qenë më e vështira dhe më sfiduese deri më tani.

Të ngjashme