Llapjanit i vdes në mëngjes gruaja nga Coronavirusi, ai del të votojë: I gjalli me të gjallin i vdekuri me të vdekurin

Prishtinë | 29 Nën 2020 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Një qytetar nga Podujeva, Sylejman Bllaca, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar për kryetar të Komunës së Podujevës, ani pse mëngjesin e sotëm, i ka vdekur gruaja nga infektimi me COVID-19.

Në një deklaratë për Rtv Dukagjini, qytetari llapjan, kërkoi nga bashkëvendasit e tij që të dalin dhe të votojnë, përkundër çfarëdo rrethane.

Bllaca, u shpreh se arsyeja pse ka dalur të votojë, përkundër dhimbjes nga vdekja e gruas së tij, është e drejta për të shfrytëzuar fuqinë e tij qytetare.

“Mua më ka vdekur gruaja sot në mëngjes, si pasojë e infektimit me Coronavirus. Përkundër kësaj, unë kam dalur që të votojë dhe ta shfrytëzojë të drejtën time qytetare. I lus të gjithë qytetarët tjerë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Ani pse unë kam dhimbje për humbjen e gruas, një fjalë e popullit thotë: i gjalli me të gjallin dhe i vdekuri me të vdekurin”, u shpreh ndër të tjera ky qytetar.

Të ngjashme