Lumezi: Nëse ka elemente penale do të merremi me Buzhalën

Prishtinë | 27 Kor 2016 | 12:24 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se do të marrin masa nëse ka elemente penale në komentet e gazetarit Berat Buzhala, të bëra në rrjetet sociale, në lidhje me grusht-shtetin në Turqi.

Ambasada e Turqisë në Kosovë ka kërkuar masa ndaj drejtorit të Gazetës Express për shkak të komenteve, sipas tyre nxitëse, të bëra në profilin e Buzhalës në Facebook.

Por, Lumezi ka thënë se “mesa ka parë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale”.

“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor dhe nëse e shohim se ka ndonjë element të ndonjë vepre penale, me siguri se do të kyçemi”, ka thënë Lumezi, i pyetur nga gazetarët.

“Por mesa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale. Dhe nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit që të merret me problemet të cilat janë shfaqur mes një mediumi, faktikisht mes një gazetari dhe Ambasadës Turke në Kosovë”, ka thënë kreu i Prokurorisë së Shtetit.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një konference për media pas takimit me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Ambasada e Turqisë në Kosovë i ka bërë kërkesë zyrtare Ministrisë së Jashtme të Kosovës që të merren masa ndaj gazetarit Buzhala, i cili kishte bërë komente sarkastike në rrjetin social Facebook, duke i ftuar pushuesit kosovarë që ndodhen në Turqi që t’i bashkoheshin ushtrisë e cila ishte ngritur kundër Erdoganit.

Kërkesa ka ngjallur reagime të forta në Kosovë.

Të ngjashme