Matoshi: Pavarësisht kundërshtimeve hidrocentralet në Shtërpcë do të ndërtohen

Prishtinë | 23 Nën 2019 | 07:48 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ditë më parë shoqëria civile nisi nënshkrimin e peticionit, nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës i kërkojnë institucioneve më të larta të vendit, që të ndalin degradimin e mëtutjeshëm të mjedisit nga mini-hidrocentralet dhe hidrocentralet e vogla.

Por ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në një prononcim për Ekonomia Online thotë se nuk do të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve të reja në rajonin e Shtërpcës.

Kjo për shkak se siç thotë ai kompanitë që po ndërtojnë hidrocentrale që nga viti 2013 janë pajisur me lejet e nevojshme nga Komuna e Shtërpcës dhe ZRrE-ja si dhe nga Ministria e Mjedisit.

“Për mua janë shumë të kuptueshme shqetësimet e banorëve të Bitisë në Shtërrpcë. Ata i kam prit i kam takuar bashkë me ta kam qenë në komision parlamentar  në maj të këtij viti. Çështja qëndron në atë se kompania që atje po ndërton hidrocentrale është pajisur me leje ndërtimore shumë vite më parë, në vitin 2013-2014 i ka marrë lejet e nevojshme dhe pasi që janë plotësuar kriteret ligjore pasi Komuna e Shtërpcës i ka dhënë pëlqim për ndërtim të hidrocentraleve, pasi ka marrë një autorizim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe tek pas kësaj investitori ka ardhur në Ministri të Mjedisit dhe është pajisur me lejet  të cilat i kërkon ligji”, thotë ai.

Matoshi thotë se kompania në fjalë po vepron në bazë të ligjit dhe se nuk kanë të drejtë t’ia ndalojnë punën pasi që nuk dëshiron që shteti të paguajë dëmshpërblime ndaj kompanive në të ardhmen.

“Gjithçka është zhvilluar deri sot në Biti edhe në rajonin e Shtërpcës, në Brezovicë dhe ka kaluar në  një proces ligjorë. Tani banorët po kërkohet prej nesh edhe me anë të protestave, po kërkohet të marrim një vendim me të cilin ne do të ia ndalojmë punën këtij operatori i cili posedon leje, një gjë e tillë do të ishte e kundërligjshme dhe pavarësisht brengave ose shqetësimeve të banorëve unë i bëjë me dije opinionin që, nuk jam i gatshëm që të ndërruar ndonjë veprim të paligjshëm, që për shkak të të cilit në të ardhmen shteti do të detyrohet të paguajë dëmshpërblime kompanive të cilat i ka pajisur me leje”, thotë ai.

Ministri në detyrë, i MMPH-së, po ankohen edhe sa i përket një vendimi tjetër që u ndërmor nga ai e që nuk po arrin të zbatohet.

Kohë më parë MMPH kishte marrë vendim për ndalim të përdorimit të thëngjillit në institucione, poashtu shtimin e masave të kontrollit për shitjen e thëngjillit.

Mirëpo Matoshi thotë se është i pakënaqur me punën e inspektorëve të ministrisë dhe atyre komunalë, si dhe punën e Policisë së Kosovës, të cilët sipas tij nuk po arrijnë të ndalin një dukuri të tillë.

“Vendimi për ndalim të përdorim të thëngjillit është për institucione jo për amvisëri, por në të njejtën kohë si masë preventive ne kemi shtuar kontrollin e shitjes ilegale të thëngjillit përgjatë rrugëve, nuk është se jam shumë i kënaqur si ministër i mjedisit me kontrollet që janë zhvilluar qoftë nga inspektorët komunal qoftë nga policia e Kosovës ose nga inspektorët e ministrisë së mjedisit  për ta parandaluar shitjen ilegale të thëngjillit”, thotë ai.

Thëngjilli po konsiderohet si ndotësi kryesor gjatë stinës së dimrit në kryeqytet.

Të ngjashme