Merren vendimet e para nga Gjykata Komerciale

Prishtinë | 29 Gus 2022 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Komerciale e Kosovës i ka marrë vendimet e para më 25 dhe 26 gusht të këtij viti.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se kanë vendosur për 60 lëndë në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë.

“Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale kanë marr vendime në 30 çështje, po ashtu edhe Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate, kanë vendosur në 30 lëndë, që kanë të bëjnë kryesisht me çështje përmbarimore të natyrës urgjente”, thuhet në njoftim.

Tutje është deklaruar se seanca e parë  do të mbahet më 9 shtator.

“Përmes kësaj komunikate njoftohet publiku se seanca e parë e caktuar në Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative të Gjykatës Komerciale, mbahet më 9 shtator 2022 me fillim nga ora 09:30 në zyrën nr. 411 të kësaj gjykate”.

“Të gjitha seancat gjyqësore në Gjykatën Komerciale janë të hapura për publikun, përveç rasteve, në të cilat me ligj përcaktohet ndryshe. Gjykata Komerciale deri më tani ka pranuar mbi tetëmijë lëndë, përkatësisht në Dhomat e Shkallës së Parë janë pranuar gjashtëmijë e shtatëqind e pesëdhjetekatër lëndë ndërsa në Dhomat e Shkallës së Dytë njëmijë e treqind e katërdhjetedy lëndë. Të gjitha lëndët janë regjistruar në regjistrat manual të gjykatës, ndërsa janë në proces të regjistrimit edhe në Sistemin për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve – SMIL”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme