Miftaraj: MF-ja s’duhet ta presë vendimin e Kushtetueses, t’ia ndajë paratë KQZ-së

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 12:52 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ka kaluar 1 muaj që kur Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryeministrit pasi ai kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur në cilësinë e të dyshuarit.

Një javë pas dorëheqjes së tij, kabineti qeveritar ishte mbledhur për të mbajtur mbledhjen e rregullt të Qeverisë, por pas paqartësive juridike mbledhja nuk u mbajt dhe Haradinaj kërkoi nga Gjykata Kushtetuese defininimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së tij.

Kjo përgjigje ende nuk është dhënë nga Gjykata Kushtetuese ndërsa Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, 6 tetorin e ka shpallur datën për mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se në këtë rast të dorëheqjes së Haradinajt, kryeministri nuk është palë e autorizuar për të bërë një kërkesë për në Gjykatën Kushtetuese ndërsa Kushtetuesja kur ka kërkesa të tilla nga institucionet duhet t’i jep përgjigje opinionit publik lidhur me kërkesën e kryeministrit.

“Praktikat e demokracive parlamentare i obligojnë Qeveritë në dorëheqje të marrin vendime të domosdoshme për mbarëvajtjen e proceseve të rëndësishme, besoj se proces më të rëndësishëm për Kosovën mbajtja e zgjedhjeve demokratike më 6 tetor nuk ka. Ministria e Financave duhet të marr vendimin dhe të ndaj buxhetin për KQZ-në”, tha Miftaraj.

“Është e vërtetë që është brenda afateve kohore dhe ka të drejtë deri në 60 ditë që të trajtoj apo të jap përgjigje në kërkesën e kryeministrit, por Gjykata Kushtetuese në pajtim me praktikat dhe rregullat e saja kur ka çështje të interesit të përgjithshëm, kur ka çështje ku opinioni publik e qytetarët presin përgjigje e një sqarim lidhur me kërkesën e kryeministrit nuk mund të trajtohet e njëjta kërkesë si me kërkesat tjera të rregullta që mund të vijnë nga qytetarët për çështjet që mund të presin përgjigje”, shtoi ai.

Miftaraj tha se në këto raste Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë të lëshohet në analiza të thukta dhe të jetë me efikase në kthimin e përgjigjes.

 “E kësaj i shtohet fakti se kërkesa e kryeministrit është e palejueshme atëherë nuk ka nevojë që Gjykata Kushtetuese të lëshohet në analiza të thukta, që mund të marrin me muaj për të dhënë një përgjigje meritore. Në këto raste Gjykata Kushtetuese duhet të luaj rolin e saj, t’i trajtoj këto raste me më efikasitet që t’i sqaroj para opinionit publik paqartësitë që janë ngritur deri më tani”, tha ai për Ekonomia Online.

Miftaraj tha se meqenëse Kosova nuk ka Ligj për Qeverinë për dispozitat ligjore, atëherë është e rrugës që vendi ynë t’i shikoj praktikat e demokracive parlamentare që kanë ndodhur në vendet tjera në rastet e ngjashme.

“Kosova duhet të marr praktikat e demokracive parlamentare se cilat janë kompetencat e qeverive në ikje, nëse marrim këtë praktikë atëherë del se në rastet si Kosova, qeveritë duhet ushtruar kompetenca e përgjegjësi vetëm çka janë të domosdoshme në aspektin administrativ apo teknik”, shtoi Miftaraj.

Ditë më parë ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza i tha Ekonomia Online se në këtë vit nuk është paraparë të ketë zgjedhje dhe për këtë qëllim nuk janë ndarë mjete për Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).

Mirëpo, ai thotë se këto mjete mund t’i ndajnë nga fondi rezervë, por se duhet pritur interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Mjetet janë, por është ligj, është nen i Ligjit të Buxhetit ku thotë se ministri mundet të bëjë transferin e këtyre mjeteve në një organizatë tjetër buxhetore në cilëndo nga kategoritë ekonomike”.

“Mirëpo, tash pyetja shtrohet. A jemi në dorëheqje dhe vazhdojmë të punojmë për t’a mirëmbajtur sistemin apo nëse konsiderohemi si ish-ministra? …është çështje që duhet ta shohim se cila është alternativa tjetër për shkak se sigurisht në një situatë të tillë ministri nuk mund të bëjë transferin e këtyre mjeteve dhe ku flitet për ministrin tek përkufizimet, ministër është ministri i Financave që mund ta bëjë këtë transfero”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme