Minxhozi ndan mirënjohje për inxhinierët e MIT-it dhe profesorët e UBT-së për ndihmën që i dhanë Shqipërisë

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 16:50 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i ka ndarë mirënjohje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për inxhinierët e ndërtimtarisë si dhe për profesorët e UBT-së të cilët i dolën në ndihmë Qeverisë së Shqipërisë për evidentimin/vlerësimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deklaroi se Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje gatishmërie që nga minuta e parë për vëllezërit shqiptar.

Lekaj falënderoj inxhinierët dhe stafin e UBT-së për punën dhe sakrificën.

“Faleminderit për ndihmën që keni bërë për vëllezërit tanë shqiptar. Ne e kemi bashkëndje dhimbjen me ata që humbën më të dashurit. Kemi qenë të trishtuar pas lajmit për tërmetin. Që nga minuta e parë që kemi pasur informacione, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje gatishmërie. Nuk kemi bërë asgjë më shumë as më pak se sa bën vëllai për vëllanë. Shpresoj që mos të përsëritët, por ne duhet të jemi bashkë. Falënderoj profesionistët e MIT-it dhe UBT-së të cilët keni sakrifikuar të shkoni në zonat më të vështira për të vlerësuar ndërtesat”, u shpreh Lekaj.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se kjo fatkeqësi ka dëshmuar se njerëzit janë më të shpejt se politika.

Siç tha ai, tërmeti është mësim për të gjithë që mos të punojnë me vula, por me profesionalizëm.

“Kapërcyet çdo kufi që lidhet me gatishmërinë e menjëhershme. Ne nuk u ndjemë vetëm, u rrethuam nga ju ose nga ne se jemi një. Ka qenë ndihmë e vëllait dhe e motrës. Njerëzit janë më të shpejt se politika, se sa dekanati, ministria. Gatishmëria tregoi pa orar, Kosova ishte e para me ushtri dhe qytetarë. Si dhe me inxhinierët për të cilët jemi krenar. Kjo që ndodhi ishte fatkeqësi, por do të zbutet me një pjesëmarrje të përbashkët. Është një mësim për studentët, politikanët, mos të bëjnë punën me vulë nga njerëzit, por me profesionalizëm”, tha ai duke falënderuar të gjithë për ndihmën e dhënë.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se UBT-ja do të vazhdoj edhe me tutje me raporte të vlerësimit.

“Falënderoj ministrinë për bashkëpunimin si dhe ambasadorin Minxhozi për koordinimin lidhur me proceset siç ka qenë rasti i tërmetit. Puna do të vazhdoj, ne si universitet do të vazhdojmë më tutje me raporte dhe vlerësime shtesë të ndihmojmë sado që kemi mundësi. Shpresoj që mos të kemi takime të tilla, por bashkëpunimi është shembull i mirë që mund të veprohet edhe në raste tjera”, tha ai, raporton EO.

Të ngjashme