Monopoli i vendosur nga Qeveria Kurti: Një kompani me tre punëtorë do të qarkullojë 1.8 milionë euro në vit

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka reaguar pas marrëveshjes së Ministrisë së Infrastrukturës me kompaninë “Auto Control Kosova”, për ofrimin e tiketës ngjitëse që do të kushtojë pesë euro. Sipas Nushit, ky është monopoli i parë i qeverisë Kurti.

Nushi ka thënë se kjo pagesë është e paarsyeshme, derisa ka publikuar edhe disa të dhëna për këtë kompani që janë marrë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, ku figuron se kjo kompani është regjistruar tek në qershor të vitit 2018 dhe se ka vetëm tre punëtorë.

Nëse llogaritet numri i veturave që janë regjistruar vjet, i bie që në xhirollogari të kësaj kompanie me vetëm tre punëtorë të kalojnë 1 milion e 800 mijë euro në vit nga kjo marrëveshje.

“Problemi më i madh është marrëveshja që Ministria ka nënshkruar me firmën “Auto Control Kosova” sh.p.k. Kjo firmë është e regjistruar në qershor të 2018 me kapital fillestar 1000€ dhe ka vetëm 3 punëtor. Aktiviteti i saj është tregtia e veturave dhe pjesëve të veturave.

Vitin e kaluar janë regjistruar 370 mijë vetura. Pra një firmë me 3 punëtorë do të qarkullojë rreth 1.800.000,00€ në një vit”, ka shkruar Nushi.

Për këtë marrëveshje ka reaguar edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai i ka ftuar qytetarët që të protestojnë për këtë taksë.

Ai ka thënë se nga ky vendim përfiton një biznes privat dhe zbrazen xhepat e qytetarëve.

“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit”, ka shkruar Haradinaj.

Të ngjashme