Mustafa i përkushtuar që të vazhdohet respektimi i Ligjit për Barazi Gjinore

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës bashkë me organet e saj është e përkushtuar të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët, pronën publike e private në Republikën e Kosovës, thuhet në një nujoftim për media.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa mbështet ruajtjen e integritetit dhe kultivimin e mëtutjeshëm të kredibilitetit të autoriteteve me rol të rëndësishëm si: Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Agjencia për Menaxhim Emergjent, Agjencia për Regjistrim Civil dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë, jo vetëm në raport me qytetarët dhe opinionin publik, por edhe për të siguruar që këto organe shtetërore do të jenë garant i standardeve më të larta profesionale edhe për vet pjesëtarët e tyre, të cilët në baza ditore japin kontribut të çmuar.

Duke e pasur parasysh se Republika e Kosovës ka kornizë ligjore dhe institucionale për arritjen e barazisë gjinore, duke e vlerësuar nevojën për avancim të mëtutjeshëm të barazisë gjinore, si dhe me qëllim të arritjes së barazisë së plotë gjinore në plan profesional, me rastin e planifikimit të rekrutimit të stafit në të gjitha nivelet, Mustafa kërkon që përveç akteve të cilat rregullojnë marrëdhënien e punës, të vazhdohet të respektohet edhe Ligji për Barazi Gjinore.

Kjo kërkesë e parashtruar ka pritjen legjitime që të arrihet përfaqësim më i madh në të gjitha pozitat, edhe ato udhëheqëse, në organet e administratës shtetërore të MPB-së dhe gjithë kjo është në funksion të sigurimit të rendit dhe ligjit, si dhe ruajtjes së integritetit, kredibilitetit dhe besimit të qytetarëve në autoritetet e sigurisë.

Krejt në fund, por jo nga rëndësia, Mustafa shpreh mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për të gjithë zyrtarët dhe pjesëtarët e MPB-së dhe agjencive të  saj të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm zbatojnë të gjitha obligimet kushtetuese e ligjore, për një ambient më të sigurtë për të gjithë qytetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme