Naftëtarët nuk janë në dijeni për detajet e udhëzimit të ri për çmimet e naftës

Prishtinë | 24 Gus 2022 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se kanë qenë në kontakt e sipër me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe se janë njoftuar për një vendim që e mori të mërkurën Qeveria Kurti për miratimin e një udhëzimi të ri për caktimin e çmimit të naftës dhe karburanteve.

I kontaktuar nga Paparaci, Berjani u shpreh se janë në pritje që ta shohin se çka parasheh saktësisht ai vendim i pushtetit që u mor në mbledhjen e sotme.

“Ne jemi në pritje që të njoftohemi se çka parashihet në atë vendim”, tha ai, ndërsa theksoi se nëse ai vendim është i dëmshëm atëherë do ta kundërshtojnë. Megjithatë, sipas tij, vendimi paraprak i pushtetit për caktimin e çmimit tavan të naftës dhe karburanteve ka qenë “i dëmshëm dhe se shumë pika janë në buzë të falimentimit”.

“Çdo vendim i qeverisë duhet të respektohet, por në qoftë se prapë aktivizohet një vendim i tillë do të bëhet një gjendje alarmante në sektorin e naftës”.

Ai shtoi se vendimet nuk e ulin çmimin e naftës dhe karburanteve pasi atë e përcakton Berza.

“Dhe rritjen e çmimit ka ndikim edhe lufta Ukrainë-Rusi. Kosova është treg i hapur”, theksoi ai.

Qeveria e Kosovës në qershor po ashtu pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë. Edhe atëherë një vendim i tillë ishte kundërshtuar ashpër nga naftëtarët e Kosovës.

Të ngjashme