Ndihmohen me pako ushqimore mbi 700 familje në Podujevë

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit, janë ndihmuar me pako ushqimore 715 familje me gjendje të rëndë sociale në Komunën e Podujevës.

Pakot ushqimore, të grumbulluara dhe të dhuruara nga donatorë të ndryshëm, janë shpërndarë në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) të Komunës së Podujevës, e cila ka siguruar listën e familjeve në asistencë sociale dhe atyre në nevojë.

Ndërsa donatorët kryesorë për familjet në nevojë ishin “Qatar Charity” me 300 pako, IR Kosova 130 pako, Hai Kosova 118 pako, Enver Abazi “Festimi Tours” 100 pako, “Jetimat e Ballkanit” 50 pako, Ilir Blakçori 17 pako.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka falënderuar donatorët për ndihmën e ofruar për familjet në nevojë, për të cilët tha se kanë kontribuuar që edhe këto familje ta kenë tryezën plot në këto ditë të muajit Ramazan dhe në festën e Fitër Bajramit.

Po ashtu Kryetari Veliu ka falënderuar edhe njerëzit e tjerë të vullnetit të mirë, të cilët janë organizuar në këto ditë feste dhe kanë ndihmuar në forma të ndryshme familjet në nevojë.

Të ngjashme