Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes promovohet rëndësia e angazhimit të burrave në përkujdesjen e fëmijëve

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 11:04 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fotografi të baballarëve duke u kujdesur për fëmijët e tyre u prezantuan sot në ekspozitën e hapur në Ditën Ndërkombëtare të Familjes.

Ekspozita me titull “Baballarët e Kosovës” është bërë në kuadër të projektit “Përfshirja e burrave në atësi”, mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve Bashkuara- UNFPA.

Qëllimi i ekspozitës dhe i librit me të njëjtin titull, i cili u promovua sot, sipas organizatorëve është shfaqja e realitetit të baballarëve aktivë kosovarë me fëmijët e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Për një familje të shëndoshë duhet që të dy prindërit të angazhohen”, tha Bujar Fejzullahu, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare PEN.

Udhëheqësja e United Nations Population Fund-UNFPA, Visare Mujku Nimani, tha që përkundër angazhimit 20-vjeçar në këtë çështje, rezultatet më të mira janë te gjeneratat e reja.

“Qe 20 vite ne i kemi përkrahur djemtë e rinj… rezultati në gjeneratat e juaja më të reja janë më të mira. Vërtetohet që baballarët e rinj i kanë kaluar baballarët e mëhershëm”, tha ajo.

Organizatori  i këtij projekti, Kadri Gashi, tha se me këtë ekspozitë dhe me këtë libër dëshirojnë që të sjellin diçka më pozitive, raporton EO.

Ai ndau me të pranishmit edhe vështirësitë me të cilat është përballur.

“Është goxha emocion i mirë kjo ditë. Mbi 25 mijë familje kanë asistencë sociale në Kosovë. Ka shumë vajza të reja që nuk kanë mundësi të shkollohen, papunësia është goxha e madhe. Duke e parë këtë, ne si organizatë me këtë ekip jemi munduar që të sjellim diçka më pozitive”, tha Gashi.

Njëri nga baballarët pjesëmarrës në ekspozitë, Ilir Kurtishi, tha se shpreson që organizime të tilla do të ndihmojnë në vetëdijësimin e të gjithëve për rëndësinë që ka kujdesja për fëmijët nga të dy prindërit.

Edhe Behar Shala, pjesëmarrës në promovimin e librit dhe hapjen e ekspozitës, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të prindërve në përkujdesjen e fëmijëve, raporton EO.

Të ngjashme