Në Ministrinë e Mbrojtjes u shënua 8 marsi – Dita Gruas, vlerësohet puna e grave në uniformë

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

 Në Ministrinë së Mbrojtjes, nën organizimin e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore të Ministrisë së Mbrojtjes u mbajt ceremoni festive me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në sallën e mbushur plot me gra dhe vajza që shërbejnë si zyrtare dhe ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes në një atmosferë festive morën pjesë, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Ud. sekretari i përgjithshëm, Faruk Geci.

Hapjen e takimit solemn e bëri shefja e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore, Halime Morina, e cila në fjalimin e saj rikujtoi normat, parimet dhe vlerat fondamentale që përkojnë me këtë festë si dhe promovimin e tyre në shoqërinë, institucionet dhe vet Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, me këtë rast, ministri Quni, shprehu vlerësimin e lartë për rolin e pazëvendësueshëm të nënës, gruas, motrës e bijës në të gjitha periudhat historike dhe të dhënë në të gjitha dimensionet e familjes, shoqërisë në kauzën tonë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ndër të tjera, ministri Quni, vlerësoi lart rolin dhe kontributin shumë të rëndësishëm dhe të pandarë të grave dhe vajzave , qoftë si nëpunëse civile apo ushtarake, për të gjitha të arriturat e deritashme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK.

“Në ditët e sotme, gruaja kryeparlamentare, gjenerale e FSK-së, si ju zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, dëshmon fuqishëm se ju jeni shumë të suksesshme si në përgjegjësitë familjare ashtu edhe në ato institucionale e shtetërore”.

Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, uroi dhe shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e dhënë, punën me përkushtim vetëmohues dhe shërbimin e shquar të të gjitha grave dhe vajzave, ushtarake e nëpunëse civile në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, në funksion të ndërtimit, zhvillimit dhe të arriturave të deritashme të FSK-së, në përmbushjen e misionit të saj në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të vendit.

Në mbyllje të këtij aktiviteti, ministri Quni, gjeneral Rama dhe sekretari Geci u dhuruan lule grave dhe vajzave pjesëmarrëse.

Të ngjashme