Në Shqipëri iniciohet Rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, pasi ajo për Srebrenicën dështoi

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 20:11 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike (PD) në Kuvendin e Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, ka thënë se subjekti politik i tij po përgatit që sa muaj një rezolutë për ta dënuar gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ai këto deklarata i dha për mediumin Tëvë1, duke thënë se është çështje javësh para se të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Jemi duke përgatitur një rezolutë për t’i paraqitur Kuvendit të Shqipërisë për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë kundër shqiptarëve. Partia demokratike ka muaj që është duke u përgatitur duke studiuar dhe duke qenë të palëvizshëm me qëndrimin tonë… Pra kemi muaj që jemi duke punuar mbi një dokument të tillë dhe besoj që çështje javësh apo ditësh ne do ta avancojmë dhe do ta paraqesim në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe do të kujdesemi që të mbërrijmë rezultatin që na duhet në mënyrë që Kuvendi i Shqipërisë të votojë në mënyrë unanime për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë”, deklaroi ai.

Kuvendi i Shqipërisë sot ka rrëzuar kërkesën e deputetit Tritan Shehu dhe ka votuar kundër rezolutës që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i partisë e cila refuzoi ta votonte rezolutën, duke e quajtur një gjë të tillë si “lojë të ulët të Sali Berishës”.

Qeveria e Kosovës  ka bërë të ditur muaj më parë se po synon ta padit Serbinë për kryerje të gjenocidit në luftën e fundit në Kosovë.

Të ngjashme