Në vendngjarje u gjet edhe marihuanë, detaje të reja nga vrasja në Gjilan

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në lagjen “Arbëria” në Gjilan. Policia ka arrestuar deri më tani pesë persona të dyshuar. Ndërkaq në një njoftim të ri, policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur substancë e dyshuar narkotike, e llojit marihuanë, raporton Express

Një 21-vjeçar nga Gjilani mbeti i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, të martën në Gjilan.

Një tjetër mbeti i plagosur, ndërkaq pas ndihmës mjekësore u dërgua në mbajtje. Përveç tij, janë arrestuar edhe katër persona tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vrasjes së 21-vjeçarit.

Gjykata Themelore e Gjilanit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ta.

Ndërkaq Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur substancë e dyshuar narkotike, e llojit marihuanë.

Po ashtu, në vendngjarje është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

“VRASJE E RËNDË – Gjilan, 08.11.2021 – 20:40.  Në lidhje me rastin, është raportuar se me 09.11.2021 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka qenë pjesëmarrës në vepër, po ashtu dhe i dyshuari i cili ka qenë duke u trajtuar është intervistuar. Ndërsa në vendin e ngjarjes,  është gjetur sasi substancës e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në peshë 10.5 gram dhe një pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, në total të arrestuar për këtë rast janë pesë persona”, ka bërë të ditur policia.

Express të martën ka qëndruar në lagjen “Arbëria” në Gjilan, nga ku ka sjellë detaje lidhur me vrasjen e të riut.

Të ngjashme