OVL e UÇK-së i bashkohet protestës kundër vizitës së Trendafilovës

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), do t’i bashkohet të mërkurën protestës së organizuar për të kundërshtuar vizitën e Ekaterina Trendafilovës.

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku.

Përmes një postimi në Facebook, Klinaku tha se roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares, nuk është që të edukojë shoqërinë civile e mediat.

“Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë; Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim atje; Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi  po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në”.

“Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar më 21.09.2022 (e mërkurë), ora 10:00, Hotel “Astoria”, Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova”, shkroi ai në Facebook.

Protesta është organizuar nga Partia Socialdemokrate.

Të ngjashme