Premtimi i Kurtit për pagë minimale 250 euro – Azemi: I kotë dhe bosh

Prishtinë | 05 Tet 2021 | 14:51 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Premtimi i kryeministrit Albin Kurti për rritjen e pagës minimale në 250 euro, po konsiderohet i kotë dhe jorelevant, nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, raporton Ekonomia Online.

Azemi tha për Ekonomia Online se paga 250 nuk është e mjaftueshme për një qytetar të Kosovës. Sipas tij, asnjë punëtor në Kosovë nuk pranon të nënshkruajë kontratë me këtë shumë.

Tutje, ai tha se kryeministri Kurti në vitin 2020 kishte premtuar pagë minimale prej 350 eurove. Azemi thotë se është e papranueshme kjo ulje.

“Realisht të flasësh për pagën minimale është sikur të flasësh për borën e parvjetit. Në vitin 2020, kryeministri ka paralajmëruar se paga minimale do të jetë 350 euro dhe në vitin 2021 tha pagën 250 euro. Realisht pagë 250 euro nuk ka askund, me përjashtim te kompanitë publike-private që i mirëmbajnë objektet shtetërore. Përndryshe kontratë pune, asnjë punëtor nuk lidhet me kompaninë me pagë 250 euro. Që do me thënë është premtim bosh, i kotë dhe premtim që nuk i nevojitet kurrkujt hiç”.

“Këtë premtim e keni dëgjuar në vitin 2020, e keni dëgjuar edhe vitin 2021, megjithatë ne si sindikatë kemi thirrur në mënyrë individuale punëtorët që asnjë punëtor në Kosovë minimumi të mos nënshkruajë kontratë nën 350 euro. Unë kam pasur takim me disa kompani dhe shqetësimin më të madh e kanë se kanë mungesë të punëtorëve. Që do të thotë çmimin tani nuk e përcakton Qeveria por e përcakton fuqia punëtore, pasi që po ka mungesë të fuqisë punëtore”.

Azemi tha se nuk ia vlen të bisedohet për këtë shumë të pagës minimale.

“Po themi që nuk ia vlen më të bisedohet për pagën 250 euro, e nuk ia vlen as për pagën 350, pasi ka kohë bukur të gjatë që ka trumbetuar. Paga 250 euro është përcaktuar nga  Këshilli Social në 27 dhjetor të vitit 2017, që atëherë e ka pasur një fuqi monetare, tani është dobësi e madhe që të përmendën paga nën 350 euro”.

Gjatë fundjavës së kaluar, në Kongresin e VIII-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Kurti tha se pagën minimale do ta rrisim fillimisht në 250 euro, dhe do ta përjashtojnë nga tatimi në të ardhurat personale.

Të ngjashme