Prezantohet Harta Zonale, Matoshi thotë se është në përputhje me rregullat vendore e ndërkombëtare

Prishtinë | 19 Qer 2019 | 12:00 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Institut për Planifikim Hapësinor i përkrahur nga Grupi Punues Ndërministror ka përfunduar draftin e parë të Hartës Zonale të Kosovës, të cilin e kanë prezantuar para autoriteteve përgjegjëse qendrore dhe lokale, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH), Fatmir Matoshi tha se po përmbushin një nga objektivat shumë të rëndësishme në sektorin e planifikimit hapësinor.

Sipas tij, ky dokument është hartuar në mënyrë shumë profesionale dhe në përputhje me rregullat në fuqi, vendore dhe ndërkombëtare.

“Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po e përmbush edhe një veprim shumë të rëndësishëm në sektorin e planifikimit hapësinor. Bashkërisht jemi në prag të aprovimit të Hartës Zonale të Kosovës, dokument që ka rrjedhë nga një proces gjithëpërfshirës dhe shumë transparent”.

“Dokumenti është hartuar nga Instituti për Planifikim Hapësinor i përkrahur nga të gjithë sektorët qeveritar dhe institucionet tjera relevante dhe me këtë rast dua të falënderoj drejtorin e institutit z. Luan Nushi dhe zyrtarët tjerë të grupit punues ndërministror për kontributin e dhënë në këtë proces. Nga përgjegjësit e procesit kam marrë sigurinë se dokumenti është hartuar në mënyrë shumë profesionale dhe në përputhje maksimale me rregullat në fuqi, vendore dhe ndërkombëtare”.

Ai tha se gjatë procesit të hartimit të dokumentit, janë organizuar një mori takimesh me profesionistë të fushës, por që do të mbahen edhe takime të tjera.

“Gjatë procesit të hartimit të dokumentit, janë organizuar një mori takimesh me profesionistë të fushës, me përgjegjës të institucioneve relevante, nga të cilat janë marrë informatat e fundit për trendët aktuale dhe kërkesat për zhvillimet e ardhshme sektoriale”.

“Fillojmë fazën më të rëndësishme të procesit, shqyrtimin e dokumentit me publikun e gjerë. Për dy muaj rresht, sa është planifikuar të zgjasë shqyrtimi publik, MMPH-ja përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor do të organizojë edhe takime dhe prezantime tjera”.

Sipas Matoshit, Harta Zonale e Kosovës është njëri nga dokumentet më të rëndësishme në fushën e planifikimit hapësinor.

Madje ai ka thënë se kjo është mënyra më e mirë që ta ndryshojmë sjelljen abuzive ndaj hapësirës.

“Harta Zonale e Kosovës është njëri nga dokumentet më të rëndësishme në fushën e planifikimit hapësinor. Përmes saj, do të vendosen veprimet, aktivitetet dhe rekomandimet relevante hapësinore dhe çka është më e rëndësishme do të vendosën rregullat për implementimin e tyre”.

“Të gjithë pjesëmarrësit në sistemin e planifikimit hapësinor duke përfshirë nivelin qendror dhe lokal të përgjegjësisë, janë të obliguar t’i respektojnë rregullat në fjalë. Jemi të sigurt se kjo është mënyra më e mirë që ta ndryshojmë sjelljen tonë abuzive ndaj hapësirës, prandaj, ju inkurajojmë sinqerisht që të bëheni pjesë aktive e këtij procesi”.

Luan Nushi nga Institut për Planifikim Hapësinor, tha se presin që deri në shtator ky dokument të jetë gati dhe të dërgohet për aprovim.

“Nga sot e në këtë shqyrtim publik shpresoj që t’i marrim rekomandimet e nevojshme dhe në shtator dokumenti të dërgohet për aprovim”.

Servet Spahiu, drejtori i Planifikimit Hapësinorë në MMPH, tha se e kanë obligim ligjor tu ndihmojnë komunave në planifikim hapësinorë.

“Ne si ministri jemi në përkrahje të komunave që t’ju ndihmojmë në të gjitha dokumentet e hartimit të hartave zonale gjatë këtij viti, sepse e kemi obligim ligjor për t’ju ndihmuar në planifikim hapësinorë komunave të Kosovës”.

Të ngjashme