Pritet të intervistohen eprorët e policisë që i shkuan në takim Vuçiqit

Prishtinë | 06 Pri 2022 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka paralajmëruar intervistimin e eprorëve të policisë të nacionalitetit serb të cilët i shkuan Aleksandar Vuçiqit në takim, pasi Qeveria e Kosovës refuzoi që zgjedhjet e 3 prillit të mbahen në vendin tonë.

Ndonëse ka kaluar më shumë se një javë nga koha kur zyrtarët policorë shkuan në takim te Vuçiqi, IPK thotë se deri më tani kanë ndërmarrë disa veprime hetimore, megjithatë akoma nuk është marrë asnjë masë ndaj tyre.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, Inspektorati Policor i Kosovës thekson se për këtë rast është në koordinim me prokurorin kompetent.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë. Në kuadër të autorizimeve ligjore hetuesit e IPK-së deri tani kanë ndërmarrë disa veprime hetimore si dhe kanë kontaktuar edhe me prokurorin kompetent , përderisa pritet që të ndërmarrin edhe veprime hetimore të tjera për të sqaruar të gjitha  rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente duke përfshirë edhe intervistimin e zyrtarëve në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje, IPK thotë se në këtë fazë të hetimit nuk mund të shpalosen më shumë detaje.

Kujtojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), javën që shkoi ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Të ngjashme