Propozohen emrat e anëtarëve për Komisionin Kosovar për Kërkesa Pronësore

Prishtinë | 27 Shk 2018 | 14:07 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka dërguar në seancë emrat e anëtarëve të Komisionit Kosovar për Kërkesa Pronësore dhe për anëtarë për Verifikim dhe Vendosje të Pronave, raporton Ekonomia Online.

Deputetët ndonëse më herët e kanë praktikuar që të zgjedhin një ose dy kandidatë nga të gjithë të propozuarit këtë herë kërkuan që të gjithë emrat e propozuar të dërgohen në Kuvend për shkak se si është cilësuar nga anëtarët e komisionit për Legjialacion do të ishte arbitrare po të selektohej një person e të mos selektohet një tjetër.

Rrustem Qehaja, Lule Billali-Ymeri, Betim Shala, Sylejman Nuredini dhe Shpetim Sadiku ishin emrat të cilët u dërguan në seancë për tu zgjedhur.

Deputeti Hajdar Beqa fillimisht ishte i pajtimit që të dërgohen aq sa do të zgjidhen mirëpo më pas tha se më mirë të dërgohen të gjithë në seancë për t’u votuar.

“Ne kemi në diskrecion tonin që t’i qojmë dy kandidatë për anëtarë të komisionit. Është mirë që të shkojmë me një kandidat”, tha Beqa.

Selektimi i një kandidati apo dy për tu dërguar për votim në seancë ishte i papranueshëm për Bilall Sherifin.

“Nuk besoj që kem autoritet që të dërgojmë një emër e një jo sepse do të ishte një lloj arbitrariteti nëse ne vendosim kë të dërgojmë në seancë e kë jo”, tha Sherifi.

Ndërsa kryetarja e komisonit për Legjislacion dhe Mandate, Albulena Haxhiu, tha se një problem tjetër për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të tilla është edhe propozimi i një kandidati në disa komisione të ndryshme.

“Për të qenë korrekt unë pajtohem që t’i propozojmë të katërtit është më mirë që t’i procedojmë që të gjithë në seancë pastaj seanca vendos. Vërejtja ime është që në këto komisione propozohen emrat e njëjtë për shembull një profesor në pesë komisione mendoj se kjo nuk është e drejtë sepse po lindin dyshime se po zgjidhen personat për shkak të afërsive por edhe nuk mundesh me qenë efektiv nëse propozohesh në shumë komisione”, tha Haxhiu.

Në këtë komision gjithashtu është miratuar në parim edhe draftregullorja e punës së Kuvendit me kërkesën që të futet në rend të ditës për seancën plenare.

Të ngjashme