Jep dorëheqje anëtari i Bordit pas paralajmërimeve të Llukës për shkarkim

Prishtinë | 04 Mar 2019 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Qershori i vitit të kaluar ka rezultuar të jetë muaji fatlum për familjen e Osman Ejupit. Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.

Pas paralajmërimit të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për shkarkim të tij, Ejupi sot ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga kjo pozitë.

Ai në letrën e largimit ka thënë se në cilësinë e anëtarit të Bordit nuk ka pasur asnjë kompetencë dhe asnjë ndikim në punësim dhe së dyti se punësimi i njerëzve të afërt, sipas tij, është bërë sipas procedurave të Telekomit të Kosovës.

“Përmes kësaj letre ofroj dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm nga pozita e anëtarit të Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, Sh.A. Ka qenë përgjegjësi e lartë dhe privilegj të ushtroj funksionet e Anëtarit të Borit të Drejtorëve nga prilli 2018 dhe edhe njëherë u ri-siguroj se funksionin tim si anëtar i Bordit e kam ushtruar me përgjegjësi, profesionalizëm dhe në secilin rast për interesin më të mirë të Telekomit të Kosovës. Sikurse është e dokumentuar në të gjitha minutat e takimeve të Bordit të Drejtoreve dhe Vendimet e marra, duke përfshirë edhe rastet shumë të ndjeshme të trashëguara në Telekomin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes.

E qershori i vitit të kaluar ka rezultuar të jetë muaji fatlum për familjen e Osman Ejupit. Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.

Osman Ejupi u përzgjodh të jetë anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars të 2018-s, në një bord që u cilësua politik. Pak muaj më vonë, të katër fëmijët e tij iu bashkuan Telekomit.

E para që u punësua ishte Artina Ejupi-Tolaj, e cila mori kontratën më 18 qershor të 2018-s. Një javë më vonë, në Telekom, Artinës iu bashkuan edhe motra dhe vëllezërit e saj.

Më 25 qershor, kontratat i morën edhe Arxhina Ejupi-Islami, Ardian e Armend Ejupi. Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.

Kohavisioni ka provuar të vërë kontakt edhe me Osman Ejupin, për ta pyetur rreth punësimeve apo nëse ka përdorur autoritetin e tij për t’i punësuar fëmijët. “ Ju lutem, më kontaktoni pas gjysmë ore, sepse jam duke vozitur”, ka thënë ai.

Emri i Osman Ejupit figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Pak ditë para së të emërohej anëtar i Bordit të Telekomit, më 14 mars të 2018-s, kishte hapur një institucion parashkollor dhe personi i autorizuar është vajza e tij, Arxhina Ejupi-Islami.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme