QIKA: Paditë e gjykatësve ndaj aktivistëve, përpjekje për ta heshtur kritikën

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Sot, Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar publikun se gjykatësit Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi kanë paditur për shpifje Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) për shkak të organizimit të protestës para Këshillit Gjyqësor të Kosovës që kundërshtoi aktgjykimin seksist të po kësaj gjykate, ku u shfajësuan pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare.

Sipas njoftimit të publikuar nga kjo gjykatë thuhet se QIKA përgjatë protestës “në vazhdimësi e ka përmendur faljen nga gjykata dhe trupi gjykues, duke atakuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë integritetin dhe personalitetin e gjyqtarëve”.

QIKA ka kundërshtuar me të drejtë këtë vendim duke kërkuar masa disiplinore ndaj trupit gjykues të këtij rasti. Në këtë drejtim QIKA ka organizuar edhe një aksion protestues para KGjK-së ku ka kritikuar vendimin skandaloz të kësaj gjykate. Ky aktgjykim është skajshmërisht paragjykues në bazë të gjinisë dhe tejet joprofesional. Gjykata i arsyeton të akuzuarit për dhunim duke thënë se vajza kishte pranuar të udhëtojë me taksi me të akuzuarin edhe pse ai ishte i gjinisë mashkullore. Po ashtu për gjykatën, gjithnjë në bazë të Aktgjykimit, fakti që një grua ndodhet në një hapësirë banimi me burra të ri “nënkupton” të drejtën e secilit prej tyre mbi trupin e saj.

Krahas organizatës QIKA, gjykatësit kanë paditur edhe Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), dhe emisionin “Betimi për Drejtësi” të cilët ishin të parët që e njoftuan publikun lidhur me këtë vendim të gjykatës.

Gjykata Supreme ka parashtruar kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj tre gjykatësve të trupit gjykues dhe KGjK ka themeluar komisionin disiplinor ndaj tyre. Padia për shpifje duket të jetë një përpjekje e gjykatësve për t’u hakmarrë ndaj aktivistëve të shoqërisë civile që e ushtruan të drejtën e tyre për t’u shprehur lirshëm për një çështje të interesit publik.

QIKA konsideron se kjo padi e nënvijëzon rëndësinë e aktivizmit feminist në shoqërinë tonë. Gjykatësit që marrin vendime seksiste në emër të popullit për të shfajësuar dhunuesit duhet të japin përgjegjësi. Ata nuk e kanë vendin në Gjykatë, sepse me qëndrime të tilla nuk mund të ndajnë drejtësi. Ne do të vazhdojmë ta shfrytëzojmë të drejtën në protestë e të drejtën në fjalën e lirë dhe do t’i kritikojmë të gjithë ata që përdorin gjuhë seksiste dhe marrin vendime të padrejta, sidomos kur këtë e bëjnë nga pozita e pushtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme