Qytetari që iu ndal rroga atij e familjes në privat dhe mbeti pa bukë, i shkruan Kurtit: Çka të bëjmë ne?

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Një qytetar i Kosovës me inicialet J.S. i ka dërguar dërguar një mesazh kryeministrit Kurti, por i cili duket se nuk ka denjuar që t’ia kthejë.

Në kohën kur qeveritë e vendeve tjera po ofrojnë ndihma të mëdha financiare për sektorin privat – prej Maqedonisë që do t’iu ofrojë pagë minimale të gjithë punëtorëve të privatëve, te Amerika që do t’i japë nga 1 mijë dollarë dhe te Danimarka që do të mbulojë 75% të pagës – qeveria e Kosovës vazhdon të mbetet e pashqetësuar për këtë problem.

Kurti është deklaruar gjithnjë si një mbështetës i të varfërve, i të papunëve dhe i punëtorëve me paga të vogla ose mesatare. Ai madje ka premtuar subvencione të pagës për punëtorët e kompanive private qysh në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit. Por, duket se këto do të mbeten vetëm fjalë.

Qytetari J.S. njofton se atij i është ndalur paga pasi punon në sektorin privat. E duket se të njëjtin fat e kanë përjetuar edhe familjarët e tij. Ai shkruan i shqetësuar se tashmë pa të ardhura nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqim.

“Përshëndetje z.kryeministër, jam një nga qytetarët e Kosovës, dhe punoj në sektorin privat. Kam po ashtu tre anëtarë në familje që punojnë në sektorin privat. I nderumë, paga s’kemi marrë, kemi fëmijë në shtëpi dhe nuk jemi në gjendje t’iu sigurojmë ushqim. Përveç fëmijëve as pjesëtarëve tjerë s’mund t’ju sigurojë asgjë. A do t’ketë ndonjë plan qeveria për ne apo duhet të rrezikojmë që t’ia bëjmë disi për të siguruar bukë në këto ditë të vështira dhe aspak të lehta për ne.” – shkruan ai, ndërkohë që kryeministri nuk i ka kthyer fare përgjigje, shkruan Periskopi.

Të shpresojmë që qytetari në fjalë dhe familja e tij, bashkë me mijëra familje të tjera që po vuajnë në këtë periudhë të vështirë për vendin shkaku i koronavirusit të ndihmohen të paktën minimalisht nga qeveria e Kosovës. 

Të ngjashme