Reka: Fati i Maqedonisë varet nga shqiptarët

Prishtinë | 04 Shk 2017 | 09:59 | Nga

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Blerim Reka, ka thënë se për dallim nga grekët, bullgarët dhe serbët vetëm shqiptarët nuk u mohojnë asgjë Maqedonisë dhe maqedonasve. Sipas tij, sado paradoksale që duket fati i Maqedonisë varet prej shqiptarëve.

Kriza në Maqedoni është peng i gjyqësisë së ngadaltë dhe i zgjedhjeve të shpejta. Ndërkaq, koalicioni i BDI-së me VMRO-DPMNE-në dështoi jo sepse këto dy parti nuk deshën, por sepse faktori ndërkombëtar nuk deshi formim të çfarëdo qeverie.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” profesori i së Drejtës Evropiane, njëherësh ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka.

Sipas tij, zgjidhja ideale do të ishte një qeveri kalimtare për ta mbyllur barazinë statusore të shqiptarëve dhe çështjen e emrit. Duke folur për platformën e koalicionit të partive shqiptare në Maqedoni, Reka ka thënë se ajo ishte incidentale dhe jo strategjike.

“Ajo dëshmoi për papjekurinë e partive shqiptare që vetëm pas 25 vjetësh të pajtohen për një kornizë politike kombëtare”, ka thënë Reka për “Zërin”. Sidoqoftë, ai është i bindur se e ardhmja e Maqedonisë varet nga shqiptarët, pa të cilët nuk mund të ndryshojë orientimi strategjik euroatlantik i shtetit. Ndërkohë, krejt në fund ai ka përmendur edhe nevojën për krijimin e një gjykate ndërkombëtare antikorrupsion për Ballkanin.

Pas intervenimit të ndërkombëtarëve BDI-ja nuk bëri koalicion me Gruevskin

Zëri: Pse BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk arritën një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni?

Reka: Këto negociata dështuan dhe nuk u krijua koalicion qeverisës, jo se këto dy parti nuk u pajtuan, por sepse faktori ndërkombëtar nuk deshi formim të çfarëdo qeverie – pa i plotësuar kushtet kyçe nga Marrëveshja e Përzhinos. E kjo marrëveshje, siç e dini si një exit strategy nga kriza, duhej të lironte shtetin nga kapja, (siç e kishte kualifikuar edhe Komisioni Evropian në Raportin vjetor të Progresit). Në atë marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-ja ishte kërkuar që gjykatat të procedonin rastet e hetuara nga skandali i përgjimeve dhe të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kushti i dytë u plotësua, por jo edhe i pari; sepse asnjë nga 11 rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale (PS) nuk u proceduan nga gjykatat e Maqedonisë.

Pra, Maqedonia këto dy vjet ishte peng i përplasjes midis zgjedhjeve të shpejta dhe gjyqësisë së ngadalshme. Partitë në pushtet insistonin që sa më shpejt të ketë zgjedhje dhe formim sa më të shpejtë të qeverisë për ta shtyrë sa më shumë procedimin gjyqësor të rasteve të hetuara nga PS-ja deri në përfundimin e mandatit të Prokurorisë Speciale. Andaj nga tri kushtet e paraqitura nga BDI-ja (zyrtarizimi i gjuhës shqipe, zgjatja e mandatit të PS-së dhe vazhdimi i integrimeve euroatlantike) në negociatat me VMRO-DPMNE, kjo e fundit pranoi, pjesërisht, zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por jo zyrtarizimin e plotë të saj. Po ashtu pranoi deklarativisht edhe integrimet euroatlantike, por assesi zgjatjen e mandatit të PS-së. Madje BDI-ja deri 20 minuta para mesnatës (kur skadonte mandate) ishte pajtuar, por vetëm pas intervenimit të ndërkombëtarëve nuk hyri në koalicion qeverisës me VMRO-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme