Rekomandimet e Auditorit s’po zbatohen, edhe sivjet problem prokurimi e kontratat mbi vepër

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 07:56 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) do të publikojë 23 raporte që i përkasin ministrive dhe komunave. Në bazë të të gjeturave vlerësohet se ka trend të uljes së rekomandimeve.

Përderisa në muajt në vijim pritet të fillojë auditimi për ndërmarrjet publike, ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani.

Osmani tha se kjo vonesë e raportimit të ndërmarrjeve publike ka ardhur si shkak i shtyrjes së afatit për publikimin e pasqyrave financiare.

“Ne kemi një plan vjetor të punës që e kemi dorëzuar në Kuvend parashihen që të publikohen 129 raporte deri në fund të vitit 2020. Ne kemi filluar valën e parë të publikimit të raporteve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjatë kësaj vale ne do të nxjerrim 23 raporte vetëm një i takon institucioneve të pavarura kurse pjesa më e madhe i takon ministrisë së linjës dhe komunave”.

“Kemi një vonesë sa i përket auditimit të ndërmarrjeve publike pasi që kemi një vendim të Këshillit të Pavarur Kosovar për raportim financiar që iu ka dhënë afat shtesë për pasqyrë financiare. Derisa nuk i kemi e kemi vështirë që të vazhdojmë me auditimin e ndërmarrjeve publike. Shpresojmë se do të kemi mundësi që të bëjmë muajve në vijim”, tha ai.

Sipas Osmanit është vërejtur nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve. Mes tjerash, ai deklaroi se ka dobësi në menaxhimin e prokurorimit publik kundrejt konkurrencës dhe transparencës.

“Është vështirë që të kemi një konkludim kryesor lidhur me menaxhimin financiar në nivel nacional në Kosovë derisa nuk përfundojnë gjitha auditimet. Edhe nëse nuk e kemi në fund raportin përmbledhës për auditimin e pasqyrave financiare të Qeverisë. Te raportet e para që kemi vërejtur vazhdon që të kemi një trend të ulët të zbatimit të rekomandimeve”.

“Po ashtu janë dobësitë të theksuara që lidhen me menaxhimin e prokurorimit publik kundrejt konkurrencës dhe transparencës që janë dy parime të domosdoshme në shumëzimin e parasë  publike”, ka thënë Osmani.

Megjithatë ai vlerëson se ka një rritje të numrit të kontratave pa konkurs siç tha Osmani në këtë mënyrë rritën detyrimet ndaj shtetit dhe bizneseve.

Ai theksoi se pas përfundimit të raporteve ZKA-ja do të dalë me qëndrim përfundimtar, raporton Ekonomia Online.

“Kemi një trend të rritjes së angazhimit të stafit me kontrata në vepër pa u respektuar procedurat, do të thotë pa konkurs dhe rriten detyrimet e shtetit kundrejt bizneseve e qytetarë. Kemi zvogëlim të kapaciteteve për të inkasuar të hyrat”.

“Nuk janë tregues të mirë dhe nuk janë që tregojnë për një menaxhim të shëndosh në administratën publike. Këto do të jenë rezultatet e para, fjalën përfundimtare jepet kur përfundojnë gjitha raportet duke i prezantuar edhe në Kuvend”, u shpreh ai.

Të ngjashme