Reshitaj në Suharekë pas përkeqësimit të situatës me COVID-19: Qeveria të bëj më shumë se konferenca për shtyp

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit kryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Albena Reshitaj, ka vizituar sot Komunën e Suharekës, ku është pritur nga kryetari Bali Muharremaj. Reshitaj e Muharremaj kanë diskutuar për gjendjen në këtë komunë pas rritjes së numrit të të infektuar me virusin COVID-19, si dhe viktimës së parë të shënuar.

Duke falënderuar aturitetet komunale për punën e bërë, Reshitaj ka njoftuar se ka takuar edhe zyrtarë të tjerë komunalë, duke thënë se vullneti dhe përkushtimi i tyre është shpresë për qytetarin.

“Për të parë nga afër gjendjen pas rritjes së numrit të të infektuarave me COVID-19 dhe viktimës së parë , vizitova komunën e Suharekës, e cila tash e disa ditë është shpallur zonë karantinë. Takova kryetarin e komunës z. Bali Muharremaj, të cilin e falënderova dhe i shpreha mirënjohje për punën e pa lodhur dhe menaxhimin shumë të mirë që ai dhe tërë strukturat komunale janë duke bërë për të tejkaluar këtë situatë. Po ashtu me nënkryetarën e Komunës znj.Mihrie Suka dhe drejtoreshën e DSHMS–së znj.Sala Bytyqi vizitova edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, me që rast falënderova drejtorin e kësaj qendre z.Sali Bytyqin si dhe të gjithë personelin shëndetësor për punën dhe shërbimin e tyre ndaj qytetarëve. Vullneti dhe përkushtimi i tyre është shpresë për qytetarin!”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se institucionet qendrore, përveç konferencave për shtyp, duhet të rrisin edhe numrin e testimeve përderisa nuk është bërë ende vonë.
Po ashtu, sipas Reshitajt duhet të gjurhmohen në mënyrë më efikase edhe rastet e kontaktit me personat e infektuar.
“Të ndodhur në periudhën vendimtare sa i përket pandemisë COVID-19 dhe bazuar në numrin gjithnjë në rritje të të infektuarve dhe numrin e vogël të testimeve në krahasim me vendet e rajonit, të dhëna këto të konfirmuara edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, bëj apel për institucionet përgjegjëse shëndetësore në vend që përveç rekomandimeve për masa të izolimit dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe konferencave për shtyp, të rrisin numrin e testimeve sa nuk është bërë vonë dhe të mobilizojnë forcën profesionale mjekësore. Në të kundërtën deklarimet e tyre se jemi të fokusuar në menaxhimin e situatës me COVID-19 nuk kanë asnjë kuptim. Të testohen dhe të gjurmohen rastet e prekura anekend Kosovës sepse jemi vend i vogël dhe me një angazhim më të mirë edhe mund të ia dalim. Me keqardhje më duhet ta theksoj konfirmimin e ekspertëve të fushës së infektologjisë në vend, se sa është brengosese numri në rritje i rasteve aq më brengosese është fakti për rritjen e numrit të pacientëve me komplikime e të cilat shihen si të vonuara në identifikim. Zbulimi dhe trajtimi më kohë i rasteve të reja do mundësoj sukses në shërim dhe shpëtim të jetës në luftë me Covid 19”, ka shkruar në fund ajo.

Të ngjashme