Rrëfimi i të mbijetuarve të masakrës së Lybeniqit

Prishtinë | 01 Tet 2016 | 08:10 | Nga Verona Boçolli

Në Lybeniq të Pejës kanë ndodhur dy masakra gjatë luftës. Në të parën janë vrarë nëntë persona e në të dytën 71. E mbijetuara e masakrës së parë, Mejreme Mehmetaj – Hamzaj tregon detajet se si forcat serbe kishin hyrë në shtëpitë e tyre dhe kishin kryer krimin.

Nuk kalon ditë që Mejremja të mos i kujtojë familjarët e saj të vrarë nga policia e ushtria serbe në masakrën e 25 majit të vitit 1998.

Ajo ende i ka të freskëta ngjarjet kur flet për to, edhe pse këtë e bën shumë rrallë.

Thotë se sa herë i kujton të afërmit që kishte humbur i dhemb zemra dhe se e ka të vështirë t’ia tregojë dikujt ngjarjen që i shkakton aq shumë dhimbje.

Në masakrën e parë të Lybeniqit ishin vranë dhe masakruar nëntë burra.

E mbijetuara nga kjo fatkeqësi Mejreme Mehmetaj – Hamzaj rrëfen përjetimin e saj gjatë kohës kur u bë ajo pasi e konsideron si të “harruar” ngjarjen dhe ata që humbën jetën atë ditë. Ka shumë pak dijeni për të dhe i gjithë fokusi i mediave dhe i popullit është te masakra e dytë e cila ndodhi një vit më vonë.

Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore pasi aksidentalisht kishte thyer këmbën, ajo mbledh forcën dhe tregon se si e kishte përjetuar atë ngjarje para 18 viteve, çfarë ka ndodhur dhe si ia kanë treguar disa nga ndodhitë që i përjetuan familjarët e saj.

Mejremja ende e kujton edhe orën kur kishte ndodhur krimi mbi familjen e saj. Kujton edhe detaje tjera nga momenti më i rëndë në jetën e saj.

“Në orën 13:00 ishim duke i dëgjuar lajmet e “Dojçe Velles” ku i dëgjuam granatat në mal, ishin katër, ato granata kishin për qellim të na frikësonin që të mos iknim në mal pastaj na lajmëroi një fqinje që po vinin serbët”, tregon Mejremja.

Ajo thotë burri i saj ishte përkujdesur që t’i largojë të gjitha gratë nga shtëpia për të mos rënë në duart e serbëve.

“Brahimi, vjehrri im e Dervishi, babai i Hasanit mbetën në shtëpi me gruan e Dervishit, Ajshen, dy vajzat dhe mbesën Gjylfidanen, pasi hynë serbët gruan dhe vajzat i dëbuan nga shtëpia ndërsa burrat i ndalën dhe i rrahën”, rrëfente Mejremja duke pirë vazhdimisht duhan derisa i dilnin djersët nga fytyra.

Lulzimi, i biri i Imerit, kushëri i afërm i familjes Hamzaj është dëshmitar i cili ka mbijetuar dhe i tregoi të bëmat e serbëve atë ditë. Ai iu tregoi se pasi i kishin rrahur u kishin thënë që ti vendosnin duart pas kokës dhe të iknin, pasi kanë filluar të ikin kur ishin larguar dhjetë apo njëzet metra i kishin gjuajtur me armë zjarri.

Brahimi (babai i burrit të Mejremes) nuk lëvizi dhe iu kundërvu serbëve duke iu kapur për tytë të automatikut dhe duke iu thënë se nëse i vrisni duke vrapuar pasi që vetë ju thatë të ikni atëherë kjo është vrasje e dyfshitë. Ata ishin revoltuar dhe kishin shtënë mbi gjoksin e Brahimit breshëri plumbash pastaj kishin djegur kullën e familjes Aliçkaj.

“Ne pamë flakën e kullës, sikur e ndjeja që diçka u kishte ndodhur edhe burrave tanë” u shpreh Mejremja në vazhdim të rrëfimit.

Mejremja së bashku me një fqinje të saj Ajshen (gruan e Dervishit të vrarë) tregojnë edhe për rastin më të rëndë të asaj dite, për gruan që ia vranë burrin dhe dy djemtë, Zojën (gruan e Zeqës së vrarë) e cila pas masakrimit të tyre shkoi ti shihte për herë të fundit djemtë dhe burrin. Në mesin e tyre ishte Lulzimi i plagosor i cili i kërkonte ndihmë asaj por nuk po e dëgjonte nga dhimbja që kishte për të vrarët. Ajo ishte kthyer edhe njëherë në shtëpi ta merrte një batanije dhe ti mbulonte bijtë dhe burrin pasi ishin të zhveshur. Kur ishte kthyer te të vrarët e dëgjoi Lulzimin duke kërkuar ndihmë, mezi e mori në shtëpinë e saj. Me të në shtëpi ndodhej Shkëndija, vajza e një kushëriri. Ato ishin frikësuar se mos serbët po e zbulonin vendndodhjen e Lulzimit dhe e dërguan atë në bodrumin e shtëpisë e në ato momente dëgjuan një polic serb teksa kalonte andej, nga frika ia mbyllën gojën Lulzimit.

Ajshja tregon se ndjen dhimbje të madhe sa herë kujton se si e kishte marrë lajmin nga Ramizi atë ditë pasi ishte kthyer nga mali : “Bëhu e fortë, se mua Zoti më lashtë shëndosh për babë (Brahimin) e ty për burrë (Dervishin)” duke i thënë se ata tashmë kanë vdekur por duhet të bëjmë të pamundur ta shpëtojmë Lulzimin.

Pasi që kishte ndodhur masakra, fëmijët i kishin dërguar te familja e Mejremes në Gllogjan ndërsa të vdekurit në Xhami. Të nesërmen i kishin varrosur por pa ceremoni sepse ishin masat e rrepta policore. Kishte pasur shumë të interesuar që të merrnin pjesë në varrim por i kthyen për shkak të sigurisë. Varret i kishin hapur bashkëfshatarët në krye me Mujë Tahirin ku i hapën tetë varre prej orës katër të mëngjesit deri në gjashtë, nga të vrarët shtatë ishin të familjes Hamzaj, një ishte nga familja Alimehaj dhe musafiri nga Deçani, Haxhi Gogaj, i cili u varros në vendlindjen e tij.

“Ne e kishim lëshuar shtëpinë dhe ishim vendosur te shtëpia e një kushëriri në Lybeniq të Ri, te Arif Kadria, prapë dëgjuam granata dhe u detyruam të iknim në mal pastaj u dëgjuan fjalë në Gllogjan se familja Hamzaj është në “teleteks” ku thuhej se do t’i zhdukinin dhe na bënin apel të largoheshim se do të na mbysnin të gjithëve” shprehet Mejremja me shumë pikëllim duke kujtuar kohën se sa të vështirë e kishin ta linin vendin e tyre.

Serbët mendonin se i kishin vrarë të gjithë dhe nuk kishte mbetur askush që të tregonte për të bëmat e tyre por fati deshi të mbijetonte Lulzimi e që më pas të ua tregonte ngjarjen të gjithëve.

Lulzimin e plagosur e kishin dërguar në spitalin e improvizuar në fshatin Irzniq dy bashkëfshatarë Muhamet Shoshi dhe Arif Kadria. Mjekët e atij spitali nuk mund ta shpëtonin sepse ishte në gjendje shumë të keqe dhe i dëmtuar në bark. E kishin kthyer në shtëpi të Arif Kadrisë dhe ia kishin dhënë ndihmën e parë sepse askush nuk kishte guxuar ta dërgonte në spitalin e Pejës.

Atë ditë, së bashku me dajën e tij Ali Gradinën nga fshati Raushiq e kishin dërguar në spitalin e Pejës. Atje e kishin lajmëruar si të sëmurë nga zorra qorre pasi ishte rrezik të tregonin se ishte i plagosur. Mjekët e kishin operuar por policia serbe kishte zbuluar se ai ishte i plagosur dhe e kishin ruajtur te dera e dhomës. I kishin thënë se ti je i plagosur dhe je me UÇK-në. Ai gjithashtu kishte treguar se i kishin shkaktuar shumë dhimbje duke e prekur me automat në plagë.

Mejremja tregon edhe disa nga detajet e kësaj ngjarje që Lulzimi u kishte treguar dhe i kishin mbetur në kujtesë.

Në spitalin e Pejës kishte punuar si motër medicionale një vajzë nga Lybeniqi që e njihte Lulzimin. Ajo e dinte rrezikun që kanosej nëse ai vazhdonte të qëndronte në spital dhe e kishte veshur me rroba të rëndomta e kishte dalë me të kinse për shëtitje por që dëshironte ta tërhiqte nga spitali.

Ajo e arriti qëllimin e saj dhe e tërhoqi Lulzimin nga spitali pastaj e mori daja i tij, e dërgoi në Mal të Zi, më pas gjeti rrugë ilegale për të shkuar në Gjermani ku u pranua si azilant dhe u shërua e që sot jeton në Gjermani me gruan dhe tri vajzat e tij.

Sot Mejremja jeton me fëmijët, nipërit dhe mbesat. E veçantë është përtritja e emrave të të vrarëve te nipërit e tyre përveç emrit të Brahimit që është ëndërr e familjarëve që edhe emri i tij të përtrihet një ditë.

Fshati Lybeniq qysh para lufte kishte pasur fqinjë serbë. Një vit pas masakrës së parë, me 1 Prill 1999 u bë masakra e dytë në këtë fshat e cila cilësohet si njëra ndër masakrat më të mëdha që ndodhën gjatë luftës në Kosovë ku u vranë dhe masakruan shumë persona, ndër ta fëmijë, gra e të moshuar. Ndër ta është edhe burri i Mejremes, e cila rrëfen për masakrën e parë për arsye se shumë pak njerëz e dinë se si ndodhi.

Aktualisht, në fshatin Lybeniq jetojnë rreth 250 familje, të gjithë janë shqipëtar dhe pas luftës nuk është kthyer në fshat asnjë familje serbe. Fëmijëve të dëshmorëve u ofrohet shkollim falas nga shteti dhe mjekim me ndihmesë ndërsa familjet marrin ndihmë sociale.

(Në foto Mejreme Mehmetaj - Hamzaj, pas dhënjes së dëshmisë për këtë masakër)
(Në foto Mejreme Mehmetaj – Hamzaj, pas dhënies së dëshmisë për këtë masakër)

(Në foto të vrarët e familjes Hamzaj me 25 Maj 1998, foto e botuar në gazetën "Bota e Re" me 04 Qershor 1998)

(Në foto të vrarët e familjes Hamzaj me 25 Maj 1998, foto e botuar në gazetën “Bota e Re” me 04 Qershor 1998)

lybeniq1

(Në foto nëntë të vrarët në masakrën e parë. Këto foto janë marrë nga libri “Masakrat në Lybeniq” – Shkodran Imeraj, 1998-1999).
(Në foto nëntë të vrarët në masakrën e parë. Këto foto janë marrë nga libri “Masakrat në Lybeniq” – Shkodran Imeraj, 1998-1999).

 

Të ngjashme