RTK nga nesër fillon takime me deputetë mbi statusin e transmetuesit publik

Prishtinë | 05 Shk 2019 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, konkretisht miratimin e ligjit për paga, ku implikohet edhe RTK.

Sindikata e sheh si pozitive rregullimin me ligj të dyshemesë dhe tavanit të pagave në kompanitë publike pasi që ky veprim domosdo ndikon në uljen e padrejtësive sociale. Megjithithëse, në rastin e RTK-së kjo çështje do të duhej të rregullohej përmes ligjit të saj pasi që RTK është institucion i Pavarur Publik dhe organizimi i brendshëm i saj është i përcaktuar me ligjin për RTK, statutin dhe rregulloret e saj.

Një pjesë e përgjegjësisë për përfshirjen e RTK-së në këtë ligj e kanë edhe drejtuesit e RTK-së, pasi që në njërën nga alternativat e financimit kanë paraparë financimin 100% nga buxheti i shtetit, konkretisht 1.5% nga vlera e përgjithshme e tij.

Sindikata e Pavarur e RTK-së që nga dita e nesërme do t’i fillojë takimet me deputetët e të gjitha grupeve parlamentare në mënyrë që RTK ta ketë një ligj që i garanton asaj statusin e Transmetuesit Publik. Draft ligji aktual i cili ka një kohë të gjatë që nuk po gjen përkrahje nga shumica e deputetëve, ka nevojë të ridefinohet në atë mënyrë që t’i forcojë mekanizmat që i garantojnë RTK-së pavarësi programore e editoriale, si dhe efikasitet në punën e saj.

Ne gjithashtu shprehim shqetësimin tonë rreth mosgatishmërisë së Bordit për ta rishpallur konkursin për drejtor gjeneral të RTK-së.

Kuvendi i Kosovës do të duhej të kërkojë përgjigje nga Bordi pse ata refuzuan gatishmërinë e Britanikëve për ta monitoruar konkursin për drejtor gjeneral i cili në dhjetor të vitit të kaluar doli të jetë i dështuar.

Jemi të vetëdijshmëm se këto ditë keni qenë nën presionin e lloj lloj informate tendencioze, manipuluese, se kinse vendimet e fundit të Kuvendit do të ndikojnë ne uljen e pagave.

SPRTK ju bën me dije se pagat e askujt nuk do të ulen dhe është çështje e brendshme e RTK -së se si do t’i rregullojë ato. RTK do të vazhdojë të menaxhojë me buxhetin në mënyrë të pavarur ashtu si deri tash. Përkundrazi ne do të insistojmë që pagat të rriten, ashtu siç është duke ndodhur në shumicën e institucioneve publike të vendit.

Të ngjashme