Rumania: Qëndrimi për Kosovën i pandryshuar, marrëveshja e dialogut t’i parandalojë eksperimentet me Ballkanin

Prishtinë | 21 Pri 2019 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Rumania është njëra prej pesë shteteve të Bashkimit Europian që e kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Bukureshti zyrtar ka konfirmuar se nuk e ka në plan që as tash e tutje të ndryshojë qëndrim: Dialogun e Kosovës me Serbinë e përkrahin, por njohjen e pavarësisë nuk e mendojnë.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë kanë thënë se dialogu Prishtinë-Beograd është në përputhje me qëndrimet e tyre dhe ky proces duhet të vazhdojë.

“Rumania përkrah dialogun që buron nga Rezoluta e miratuar më 9 shtator 2010 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne përsërisim rëndësinë e vazhdimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në mirëbesim në bazë të kësaj kornize”.

“Ne angazhohemi në arritjen e stabilitetit afatgjatë dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor në tërësi, përmes mënyrave dhe politikave të Bashkimit Europian”.

“Pajtimi është shtyllë e rëndësishme e këtij procesi”.

Megjithëse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pesë vendet e BE-së: Rumania, Spanja, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia, do ta njohin mëvetësinë e Kosovës pas marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, rumunët janë të prerë në vendimin e tyre.

“Pozicioni i Rumanisë rreth çështjes së statusit të Kosovës është i bazuar në respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe si i tillë është i pandryshueshëm”.

Sa i përket mundësisë që Rumania të lëvizë drejt njohjes së Kosovës nëse Serbia eventualisht e bën këtë, zyrtarët rumunë thonë se epilogu i negociatave nuk mund të dihet aktualisht.

“Mendojmë se nuk duhet të parashikohet një rezultat i diskutimeve mbi substancën e marrëveshjes ligjore obligative në strukturën e dialogut Prishtinë – Beograd”.

“Me rëndësi është se këto bisedime duhet të çojnë te një marrëveshje e zbatueshme dhe e qëndrueshme, e cila do të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe që do të nënshkruhej nga bashkësia ndërkombëtare, e që do të mundësonte përfundimin e perspektivës europiane për mbarë rajonin”.

Sipas këtij vendi anëtar të BE-së, në marrëveshjen përfundimtare duhet shmangur veprimet që mund të nxisin situata të palakmueshme në Ballkan.

“Rumania mbështet një zgjidhje që kontribuon në stabilitetin e rajonit, e konsolidon sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe nuk krijon precedent të padëshiruar në këtë rajon të ndjeshëm”.

“Arritja e objektivit kërkon përmbajtje të qartë: vullnet të fortë politik, shmangie të vendimeve të ngutshme, promovim të vlerave të shoqërive multikulturore europiane dhe duhet pasur parasysh rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të qytetarëve që janë pjesë e komuniteteve joshumicë – që janë të mishëruara në dokumentet fundamentale ligjërisht obligative në institucionet e Europës”.

“Neve na duhet të sigurohemi që Ballkani Perëndimor të mos bëhet vend për eksperimente dhe zgjidhje që nxisin dallime dhe të cilat sjellin dobi për akterët e palëve të treta që janë të interesuara ta parandalojnë rrugëtimin drejt BE-së”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme