Shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë, Osmani u bën thirrje vajzave që ta sfidojnë veten dhe t’i vënë në pah aftësit

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë: E ardhmja ju përket grave dhe vajzave në shkencë. Presidentja Osmani u bën thirrje vajzave që ta sfidojnë veten dhe t’i vënë në pah aftësitë

Sot me 11 shkurt, përmes një ngjarje të përbashkët organizuar nga zyra e UN Women në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën e Presidencës dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, u shënua Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë.

Për të arritur qasje të plotë dhe të barabartë në shkencë për gratë dhe vajzat, dhe për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 11 shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në shkencë në 2015.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në shkence shënohet në të gjithë boten, e në Kosovë u shënua përmes ngjarjes e cila u hap nga Presidentja Osmani. Presidentja Osmani i porositi vajzat që duan të merren me shkencë që të mos ngurrojnë dhe sfidojnë veten sepse çdo tentativë e tyre për përfshirje, nënkupton një shoqëri më të mirë dhe rrjedhimisht një të ardhme më të mirë. “Mos hezitoni ta sfidoni veten. Dështimi nuk është mossuksesi në një përpjekje tuajën, dështim do të ishte mosguximi për të marr hapin e parë në rrugëtimin tuaj hulumtues, analitik, e në fushën e inovacionit. Ju do të habiteni edhe vet nga aftësia që keni për të transformuar rrethin tuaj të ngushtë, komunitetin në të cilin jetoni, shoqërinë e cila ju rrethon” tha ajo.

Fjalim poashtu mbajti Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Duke e theksuar se 1365 vajza që studiojnë në fushat e STEM kanë përfituar nga bursat e MASHTI-it, Nagavci është zotuar se përkrahja për këto vajza do të vazhdojë edhe tutje ngase vajzat e kanë vendin në shkencë.

“Unë ju garantoj që si Ministre e Arsimit do të jem në përkrahje të vazhdueshme të avancimit të grave dhe vajzave në fushën e Shkencave Natyrore dhe Aplikative dhe avancimin e politikave institucionale në këtë drejtim”, është shprehur Nagavci.

Ndërkaq, Vlora Tuzi-Nushi, shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë, tha se duhet punuar shumë që pabarazia gjinore në edukim e karrierë të zhduket, duke nënvizuar se ky është edhe misioni i UN Women, që të fuqizoj gratë e vajzat në çdo aspekt të jetës. “Të dhënat tregojnë se më shumë vajza se djem nisin shkollimin, por diku ka ngecje dhe pabarazia gjinore mbetet e thelluar. Ne e kemi lansuar forumin Generation Equality që përmes kampanjave e ngritjes së fondeve, përpiqet t’i zbusë pabarazitë gjinore ekzistente”, ka deklaruar ajo.

Për më tepër, Ulrika Richardson, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, është shprehur se shkenca nuk bëhet vetëm me burra, dhe se është e domosdoshme përfshirja e grave në fushat e STEM në mënyrë që edhe shkenca të avancojë për t’iu përgjigjur nevojave njerëzore.

Ngjarja poashtu përfshiu një panel me temë të diskutimit “E ardhmja u takon grave dhe vajzave në STEM”, ku fokus i diskutimit ishte përfshirja e grave dhe vajzave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Në panel diskutimi të ftuara ishin Arijeta Pajaziti – Drejtore e Asociacionit te Grave ne Energji, Ibadete Bytyçi – Shkencëtarja e vitit 2021, Mimoza Basholli Salihu – Shefe e Departamentit të Teknologjisë Farmaceutike dhe Analizës së Barnave, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, Rrezarta Pllana – Drejtore Operacionale në Cacttus.

Poashtu, rreth 100 vajza studente të fushave të STEM të arsimit të lartë në Kosovë, përfituese të bursës së MASHTI-it të ndarë në vitin 2021, ishin pjesë e aktivitetit përmes platformës online.

Hendeku gjinor në të gjitha nivelet e disiplinave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës vërehët në të gjithë botën. Edhe pse gratë kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt rritjes së pjesëmarrjes së tyre në arsimin e lartë, ato ende janë të nënpërfaqësuara në këto fusha.

Të ngjashme